Me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në Tiranë u organizua një ceremoni ushtarake, e cila u shoqërua edhe me rreshtimin e ushtarakëve shqiptarë dhe parakalimin e flamurmbajtësve të vendeve anëtare të NATO-s, por edhe me ekspozimin e mjeteve ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë ku ishin të pranishëm zyrtarët më të lartë të Shqipërisë dhe përfaqësues të vendeve të NATO-s, ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Gjeneral Yaşar Güler, si dhe ambasadori Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në fjalën e tij tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO 10 vite më parë përbën një nga ngjarjet më të mëdha në të gjithë historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
“Pak ditë më parë ne kujtuam 20-vjetorin e vendimit historik të NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, duke i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik jo vetëm atje, por njëherë e përgjithmonë në të gjithë rajonin tonë. Të gjithë shqiptarët u mbeten përherë mirënjohës SHBA-ve dhe NATO-s për këtë ndërhyrje vendimtare që jo vetëm shpëtoi një popull të pafajshëm, por forcoi paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Në këtë 70-vjetor të krijimit, NATO-ja bashkon vullnetet e lira të 29 vendeve anëtare, dhe së shpejti mirëpret anëtaren e 30-të të saj, Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Meta.
TIRANË (AA)-Me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në Tiranë u organizua një ceremoni ushtarake, e cila u shoqërua edhe me rreshtimin e ushtarakëve shqiptarë dhe parakalimin e flamurmbajtësve të vendeve anëtare të NATO, por edhe me ekspozimin e mjeteve ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA)
( Olsi Shehu – Anadolu Agency )
Presidenti i Shqipërisë tha gjatë fjalës në ceremoni se shtrirja e NATO-s drejt rajonit, ka forcuar, si asnjëherë, sigurinë në aksin adriatiko-jonian, ka zgjeruar perimetrin e sigurisë së Aleancës dhe sipas tij ka ofruar një garanci të pazëvendësueshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se Shqipëria përgatitet të nisë veprën e rëndësishme të ndërtimit të bazës së NATO-s në Kuçovë, e cila do të jetë sipas tij, një prej bazave më moderne dhe më të mëdha të NATO-s në rajon.
“Një rajon që prej pas më shumë 100 vitesh luftë dhe konfliktesh të pandërprera, falë edhe NATO-s, Ballkani gëzon sot, më në fund, një periudhë paqeje, ripajtimi dhe përpjekjesh për bashkëpunim të ndërsjellë, me një qasje të spikatur integruese ushtarake, ekonomike dhe politike. Ne ndihemi jashtëzakonisht mirë sot, që integrimi i Malit të Zi më parë dhe i Maqedonisë së Veriut më pas në NATO ka krijuar një hapësirë të gjerë në Ballkan për NATO-n dhe ka forcuar stabilitetin e Ballkanit, duke çuar drejt mbushjes së një vakumi të krijuar pas ndryshimeve tektonike që pësoi gadishulli nga shpërbërja e Jugosllavisë”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama tha se Shqipëria beson shumë fort se integrimi i Kosovës me ushtrinë e saj kombëtare në familjen euroatlantike është një domosdoshmëri, jo thjesht për Kosovën, as vetëm për Ballkanin, por sipas tij, për të gjithë familjen euroatlantike. “Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO është padyshim një vizion strategjik dhe përfshirja e Kosovës në NATO do të ishte një kapital i shtuar, përmes së cilit arkitektura e sigurisë evropiane dhe euroatlantike në jug dhe juglindje të kontinentit marrin një trajtë të plotë dhe të sigurtë”, theksoi kryeministri i Shqipërisë.
TIRANË (AA)-Me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në Tiranë u organizua një ceremoni ushtarake, e cila u shoqërua edhe me rreshtimin e ushtarakëve shqiptarë dhe parakalimin e flamurmbajtësve të vendeve anëtare të NATO, por edhe me ekspozimin e mjeteve ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA)
( Olsi Shehu – Anadolu Agency )
Ministrja italiane e Mbrojtjes, Elisabetta Trenta, tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO thekson rolin që luan Aleanca për sigurinë për të gjithë rajonin euroatlantik. “Aleanca do të vijojë të jetë e fortë dhe e bashkuar pasi mbështetëset në ato vlera që bëjnë bashkë vendet tona. Shqipëria do të vijojë t’i ofrojë Aleancës burimet më të mira”, theksoi Trenta.
Ndërsa në fjalën e saj në ceremoni, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, u shpreh se “Shqipëria është një eksportues sigurie, pjesëmarrëse në iniciativat dhe misionet e drejtuara nga NATO në Afganistan, Kosovë dhe Detin Egje, në prezencën e përparuar të NATO-s në Letoni. Jemi pjesëmarrës në operacione të drejtuara nga BE në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mali, ndërkohë qe aktualisht po bëhen përgatitjet e fundit për të marrë pjesë në operacionet nën drejtimin e OKB-së në Sudanin e Jugut”.
Gjatë ceremonisë, trupa ushtarake, armatim, pajisje dhe mjete ushtarake të Shqipërisë mbushën Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërkohë që mbi Tiranë fluturuan avionët e NATO-s.
Data zyrtare e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është 1 prill 2009. Shqipëria mori për të parën herë pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si vende të reja anëtare.
No comments:
Post a Comment