Edhe ky vit mund të shkojë huq, për sa i përket çështjes së lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e BE-së. Kosovarët ka gjasa të mbesin të bllokuar edhe për një kohë, sepse procesi i liberalizimit të vizave, mund të mos përfundojë ashtu siç parashikonin dhe premtonin zyrtarët më të lartë të shtetit – shkruan- /Gazeta e Re/ & /Shtypnews.al/
Paralajmërimin për zgjatjen e mëtejshme të procesit, e dha vet Ministrja e Integrimit Europian Dhurata Hoxha. Për të përditshmen ‘Zëri’ ajo citohet të ketë thënë se nëse nuk sigurohen shumica e votave për ta siguruar liberalizimin e vizave “vendimi për votim shtyhet derisa nuk merret qëndrimi pozitiv i shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Procedurat nuk kthehen prapa dhe konsideroj se shembulli i kthimit në proces deri më tani nuk ka ngjarë, as në rastin tonë nuk do të ngjajë.”
Por, siç e kujtojnë lexuesit, ishte vet kjo ministre e cila në nëntor të vitit të kaluar deklaronte se i vetmi kusht i paplotësuar ka mbetur çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, çështje për të cilën atëbotë ajo bënte thirrje që të mbyllej sa më parë. Gjithsesi Ministrja Hoxha nuk ka qenë më e zhurmshmja për sa i përket kufirit me Malin e Zi. Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Ramush Haradinaj, kanë qenë në krye të kësaj liste. Ata madje shpeshtuan frazën që pas kalimit në parlament të demarkacionit, kosovarëve së shpejti do t’ju hiqej regjimi i vizave.
Sidoqoftë, “Demarkacioni” duket të mos ketë qenë kushti i vetëm, ndërsa një fazë e rëndësishme e lobimit te anëtarët e Këshillit të Ministrave, del të jetë fort e rëndësishme në këtë moment. Agron Hoti Këshilltar në Ministrinë e Integrimeve për Gazeta e Re tha se:
“Ministria për Integrim Evropian në koordinim të ngushtë me Kabinetin e Kryeministrit, menjëherë pas publikimit të Raportit Vlerësues të Komisionit Evropian për plotësim të kritereve për liberalizim të vizave, ka përgatitur një koncept dokument për të lobuar nëpër Shtete Anëtare të BE-së dhe institucione të BE-së për ta përmbyllur këtë proces. Takimet individuale me Shtete Anëtare të BE-së dhe institucione të BE-së janë duke vazhduar, fushata për vetëdijesim të opinionit në Kosovë është duke vazhduar ashtu siç janë duke vazhduar takimet me ambasadat e vendeve të Schengenit në Kosovë. Sigurisht që ka shumë shtete që janë pro liberalizimit të vizave dhe ka të tilla që kanë hezitime. E institucionet tona janë duke vazhduar me aktivitete lobuese që të hiqen hezitimet duke kontribuar kështu në ndërtimin e konsensusit mes shteteve anëtare të BE-së për heqje të vizave. Tani për tani nuk mund të flasim për efekte, por vetë fakti që Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë votuar në favor të heqjes së vizave janë indikative për këtë proces maratonik.”
Hoti siguron që pjesa e punës nga ana e institucioneve të Kosovës, është kryer, ndërsa votimi nuk është një proces që varet nga to.
Diskursi i zyrtarëve të lartë ka ardhur duke u ndryshuar, qysh kur Bekim Çollaku, ish ministër i këtij sektori, festonte liberalizimin e vizave me shampanjë në zyrën e tij, një lajm sensacional asokohe, i cili doli të ishte një gënjeshtër ministrore e radhës. Pasardhësja e Çollakut, Dhurata Hoxha, ndërkaq, disa vite më vonë në një intervistë për ‘Zërin’ në njërën prej pyetjeve vijonte ta cilësonte çështjen e ‘Demarkacionit’ si pengesë kryesore në kuadër të procesit:
“Procesi i përcaktimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ka nxitur shumë debate në Kosovë. BE-ja si kriter të padiskutueshëm sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ka vënë demarkacionin me Malin e Zi dhe kjo çështje nuk ka kthim prapa. Demarkimi i kufirit duhet të përfundojë dhe të gjitha instancat e BE-së e kanë bërë të qartë se ky kusht mbetet dhe nuk do të ketë liberalizim të vizave pa plotësimin e këtij kushti, si dhe luftimin e korrupsionit. Sa i përket konsensusit nacional, e kam fjalën për një konsensus i cili duhet të ekzistojë pavarësisht dallimeve partiake, agjenda e integrimit evropian dhe lëvizja e lirë e qytetarëve duhet të jenë prioritet dhe të gjithë të kemi një konsensus të brendshëm. Klasa politike në vend, kur bëhet fjalë për interesin shtetëror dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit, duhet të dalin përtej petkut partiak.”
Izolimi i gjatë, është një standard i padrejtë, i vënë ndaj Kosovës, pasi që vijon të mbetet i vetmi vend në rajon, ndaj të cilit nuk është larguar regjimi i vizave. Me gjithë problemet e mëdha me të cilat ballafaqohet republika më e re në Evropë, sipas njohësve të këtyre proceseve, progresin e saj në shumë fusha, nuk mund ta mohojë askush. Greqia, Rumania e Ukraina, janë një referencë për këtë njohës. Por shumë qytetarë, të cilët ndihen përsëri të mashtruar, nëpër rrjete sociale kanë thënë se zyrtarët e shtetit duhet të japin llogari për premtimet e tyre të mëdha.
No comments:
Post a Comment