Shqipëria do të udhëtojë mesditën e sotme drejtë Izraelit, për të luajtur ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve ndaj kombëtares vendase. Kjo sfidë është mjaftë e rëndësishme për të vijuar më tej rrugëtimin në këtë kompeticion të UEFA-s, por njëkohësisht për të shpresuar në një kualifikim në Euro 2020. Paraditen e sotme është parashikuar të zhvillohet dhe seanca e fundit stërvitore në Durrës, ku trajneri Christian Panucci, do të ketë mundësi të mendoj ndoshta edhe për formacionin. Skuadra niset sot në orën 14:30 nga Tirana drejt Izraelit, aty ku në mbrëmje, në orën 19:45, do të mbahet dhe konferenca e zakonshme për shtyp e trajnerit dhe kapitenit të skuadrës.
Edhe pse u provuan disa lojtarë të rinj pak ditë më parë në ndeshjen miqësore mes Shqipërisë dhe Jordanisë, në formacionin e titullarëve pritet të rikthen shumë nga lojtarët që nuk luajtën në atë ndeshje. Hysaj, Basha dhe Memushaj pritet të jenë që nga minuta e parë. Porta pritet t`i besohet Thomas Strakoshës, që u la pushim ndaj Jordanisë, sakaq Mavraj dhe Gjimshiti pritet të mbajnë peshën kryesore në qendër të mbrojtjes, Hysaj në krahun e djathtë ndërsa Binaku ka një “sfidë” me Lenjanin, pasi ky i fundit dha sinjale pozitive në ndeshjen kundër Jordanisë.
Në mesin e fushës Xhaka dhe Basha pritet të jenë që nga minuta e parë e lojës, pasi nëse trajneri do të veprojë me 4-2-3-1, ata janë lojtarët më të mirë të mundshëm për të bërë lidhjen mes mbrojtjes dhe mesit të fushës. Në treshen kryesore të mesfushës pritet që Grezda të jetë titullar i padiskutueshëm, ndërsa në qendër Memushaj dhe në krahun e djathtë mbetet Gavazaj. Ndërsa sulmi pritet t`i besohet Rey Manajt, edhe pse Bekim Balaj është gjithashtu në formë të mirë.
Sakaq trajneri do të ketë në dispozicion, dhe duhet t`i gëzohet faktit që Andi Lila, Sabien Lilaj, Kastriot Dermaku, Myrto Uzuni, Egli Kaja, Etrit Berisha dhe Alban Hoxha gëzojnë forëm të mirë. Nisur nga ato që u deklaruan nga vetë lojtarët pas ndeshjes miqësore me Jordaninë, gjasat janë që Shqipëria të rreshtohet me një tjetër skemë, ndoshta me 4-2-3-1, duke parë edhe nivelin e kundërshtarit. Kështu trajneri Panucci do të ketë më shumë mundësi të kontrollojë prapavijnë por njëkohësisht, kjo është dhe skema që i dha fitoren në ndeshjen e parë ndaj Izraelit në “Elbasan Arena”.
Nga Lulian Hoxhaj
No comments:
Post a Comment