Ne jemi Shtypnews .al ...! Ju përshëndesim me sinqeritet dhe serjozitet ne të Shtypnews.al miq
Shtypnews.al
Në ka një rast ku politikanët shqiptarë më shumë se kurrë ‘shpalosin’ patriotizmin e tyre, ato janë padyshim festat e Nëntorit, Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit.
Pikërisht për këto shfaqje të politikës ka pasur një reagim së fundi dhe gazetari Marin Mema, i cili thotë se të kujtohesh për vendin vetëm në ditën e pavarësisë është një dyfytyrësi e shëmtuar.
Ai thotë se politikanët tanë vetëm një ditë bëjnë shqiponjën dhe përulen para flamurit pasi gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit ata reflektojnë korrupsion dhe arrogancë.
Mema thotë më tej se falë poliikanëve që kanë drejtuar Shqipërinë së fundi dhe që nuk dallojnë fare nga njëri-tjetri nxënësit në shkolla po mësojnë gjithnjë e më pak për historinë komvëtare.
‘’ Politikanët e sotëm Ikin e vijnë, por askush nuk i mban mend pas pak kohe, fundja për çfarë ? Ata nuk ndryshojnë nga njëri tjetri, ata bëjnë gjithçka njësoj, flasin njēsoj, premtojnë njësoj, shtiren e jargaviten njësoj. Madje edhe fytyrat u bëhen njësoj. Vetëm fanellat u ndryshojnë, madje edhe ato në publik sepse nën vete i kanë identike”, shkruan mes të tjerave gazetari.
Shkrimi i plotë:
Sa herë 28 nëntori është në prag të portës, politika shqiptare vrapon të tregojë patriotizmin e saj, të organizojë pritje, përurime, aktivitete të mbushura me ngjyra e fjalime tërë pasion e dashuri kombëtare. Nëse dikush nuk do t’i njihte do të mendonte se Shqipëria ka fat qe drejtohet në qeveri apo opozitë nga njerëz që e duan kaq shumë. Në fakt nuk është kështu.
Të kujtohesh vetëm në ditën e pavarësisë për vendin tënd, kombin e historinë e tij është një dyfytyrësi e shëmtuar, një ndjenjë e gënjeshtërt që nuk synon asgjë më shumë sesa të ndërtuarit të një fasade të rreme ballë njerëzve të thjeshtë.Vetëm një ditë politikanët bëjnë shqiponjën, përulen ballë flamurit, përqafohen, nduken e premtojnë një vend më të fortë. Pjesa tjetër është e mbushur me korrupsion, padrejtësi, arrogancë e fjalë boshe.
Në librat e shkollave nxënësit mësojnë gjithmonë e më pak për historinë kombëtare, për figurat e gjurmët e tyre sepse sot më shumë rëndësi ka të njohësh soj e sorrollop, të fortë e pasunikë të paprekshëm që përbëjnë modelin e ri, të ofruar nga kjo politikë e sejmenët e saj.
Figurave kombëtare u përmënden e citohen fjalët, por modeli u fshihet. Politika e sotme ka frikë nga modeli i tyre. Ata shkrinë pasurinë, lanë ofiqet, u vranë e u prenë për komb, ndërsa të sotmit këto i quajnë patetike, të shkuara në mos qesharake. Këta nuk lënë poste, nuk kanë ideale, këta disa-fishojnë pasurinë dhe kombin e kanë thjesht një plaçkë që e kalojnë dorë më dorë në bazë të interesave.
A njihni ndonjë politikan të varfër, të pamundur, që nuk kalon muajin, që nuk ka të bëjë disa herë në vit pushime luksoze, që nuk ka tre, katër apo 50 apartamente e vila, dyqane e troje të deklaruara e të padeklaruara. A njihni ndonjë të tillë që i dridhet dora të blejë ushqimet apo diçka tjetër siç u ndodh çdo muaj pensionistëve. A ka ndonjë që nuk arrin të shkollojë fëmijët , t’u blejë veshjet apo qoftë edhe një lodër për vit të ri? Sigurisht që jo sepse ata thuajse të gjithë kanë garantuar deri brezin e 35.
Politikanët e sotëm Ikin e vijnë, por askush nuk i mban mend pas pak kohe, fundja për çfarë ? Ata nuk ndryshojnë nga njëri tjetri, ata bëjnë gjithçka njësoj, flasin njēsoj, premtojnë njësoj, shtiren e jargaviten njësoj. Madje edhe fytyrat u bëhen njësoj. Vetëm fanellat u ndryshojnë, madje edhe ato në publik sepse nën vete i kanë identike.
Nga krahu tjetër lumenjtë vazhdojnë shkatërrohen, pyjet priten, pasuritë nëntoksore shqyhen, lejet e ndërtimit valëzojnë, betoni lartësohet, njerëzit ja mbathin, papunësia rritet, çmimet fluturojnë, Shqipëria zvoglohet dhe politika fiton. Ky është patriotizmi i tyre. I njëjti që ata e fshehin çdo 28 nëntor, i njëjti që bën shqiponjën dhe tallet çdo vit me ne shqiptarët e thjeshtë që e duan vërtetë këtë vend.
No comments:
Post a Comment