Të shohësh gëzim në sytë e fëmijëve të familjeve të varfra është një ndjesi e papërshkrueshme…
Festat kanë mbërritur dhe asgjë nuk mund t’jua ngrohë më shumë zemrën anëtarëve të familjeve të varfra kur shohin që nuk janë lënë në harresë totale…
Se ka ende njerëz që me mundësitë që kanë, sado të pakta të jenë, ofrojnë, japin, për t’ua bërë këto ditë më të festueshme e më të bukura.
Familje të varfra, të lënë në harresë totale, janë vënë ditën e djeshme në fokusin e stafit të JOQ dhe detyra fisnike e bamirësisë është përmbushur me vullnet dhe përkushtim nga dy babagjyshë që kanë shpërndarë dhurata dhe ndihma për fëmijët.
Udhëtimi me synimin për të bërë të lumtur disa persona, ka nisur në periferi të Tiranës në disa familje që jetonin në gjendje të mjerueshme dhe më pas është përhapur deri në rrugët e kryeqytetit.
Të dhurosh është një ndjesi që nuk mund të zëvendësohet, është një ndjesi që të bën të ndihesh i plotësuar dhe i lumtur duke parë që ti po bën diçka, diçka që shteti ka kohë që s’e bën…
Shpresojmë që t’u kemi sjellë sado pak lumturi dhe të kemi qenë ndihmë për këta persona, të cilët me sytë e tyre pasqyrojnë një dritë shprese në këto ditë të ftohta.
Shpresojmë vërtet se ky vend një ditë do të ketë minimizim të mjerimit për të na kursyer ne dhe të gjithë atyre që dhurojnë, përlotjen në sytë e atyre që kanë vërtet nevojë për ndihmë…
Stafi i JOQ Albania ju uron gëzuar festat!
No comments:
Post a Comment