Shtypnews.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, ka shkarkuar nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademit.
Në përfundim të seancës, pas replikave me trupin gjykues, prokurori Edison Ademi edhe ka kërcënuar:
“Kjo nuk mbaron këtu, do përballemi sërish bashkë. Po nuk të futa në burg, mbaje mend”.
Dyshimet për kryeprokurorin
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për pasurinë e drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademin, si dhe e akuzoi për deklarim të rremë, në lidhje me njohjen e dy personave me precedentë penal.
Nga ana tjetër, Kryeprokurori mohoi gjetjet e KPK-së, ndërsa e nisi mbrojtjen e tij, duke hedhur dyshime se mund të jenë ndikuar në hetimin e tyre nga një person i dënuar për trafik narkotikësh.
“Kam informacione nga publiku, se një person i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, i cili ka një të afërm në KPK, ka ndikuar në hetim, në mënyrë që të më dëmtojë”, tha Ademi dhe më pas, vazhdoi me kërkesat dhe mbrojtjen e tij. Ndërkohë, KPK, në fillim të seancës, bëri të ditur se hetimi për prokurorin ishte mbyllur vetëm në dy kritere, atë të pasurisë dhe aftësive profesionale.
Në lidhje me kriterin e pasurisë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), ka dorëzuar raport negativ për prokurorin, duke konstatuar deklarim të rremë, fshehje të pasurisë dhe gjendje në kushtet e konfliktit të interesit, sa i takon marrjes me qira të një prone për 99 vite. Ndërkohë, nga hetimi i Komisionit, janë konstatuar pasaktësi lidhur me deklarimin për apartamentin me sipërfaqe 130 metra katrorë në Vlorë, të blerë në vitin 2012 në vlerën 45 mijë dollarëve.
Nga hetimi, janë evidentuar paqartësi edhe për një apartament ku ka jetuar në vitin 2003. Sipas komisionit, subjekti e ka porositur verbalisht këtë apartament në vitin 2002 dhe është tërhequr në vitin 2003. Më tej, relatorja tha se prokurori ka deklaruar në deklaratën veting shpenzime në vlerën e 800 mijë lekëve për mobilie, ndërsa në deklarimin e vitit 2005 shuma është deklaruar 500 mijë lekë.
Problem është konstatuar edhe në blerjen e 2 makinave, shpenzimet për të cilat nuk arrinte t’i justifikonte. Sa i përket vlerësimit profesional, është konstatuar se nuk ka problematika me aftësitë profesionale dhe organizative. Por, në lidhje me etikën janë evidentuar dëshmi të rreme për njohjen dhe kontaktin me dy persona të proceduar penalisht.
“Në lidhje me shtetasin F.D., u konstatua se për të në vitin 2011, është regjistruar procedimi penal për armëmbajtje pa leje. Hetimi është marrë nga subjekti dhe nga numri i telefonit të tij, është lënë takim me personin F.D., por nga pyetja që i ka bërë komisioni, subjekti ka mohuar njohjen me të. Kështu, duket se subjekti ka pasur njohje me këtë person dhe pavarësisht kësaj, ka marrë në dorë hetimet e çështjes ndaj tij. Duket se subjekti nuk ka deklaruar fakte të vërteta në lidhje me njohjen”, tha relatorja për njërin nga rastet.
Ndryshe, Edison Ademi e ka filluar karrierën në vitin 1998 si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Vlorës. Në vitin 2004 është emëruar prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë ndërsa në vitin 2015 ai është emëruar si drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
No comments:
Post a Comment