Është gjetur pa shenja jete, trupi i punëtorit që u zu nga muret e ish-hotelit Adriatik në Mitrovicë, që u shembën të hënën rreth orës 17:00.
Më shumë se gjashtë orë ka zgjatur kërkimi i shumë ekipeve të kërkim shpëtimit, përfshirë edhe ato të FSK-së.
Trupi i pajetë është gjetur rreth orës 00:15 të së martës.
KTV mëson se i ndjeri ishte 27 vjeçar.
KTV-ja, që po përcjell ngjarjen në vend të ngjarjes, ka mësuar se zyrtarë të Mjekësisë Ligjore tashmë e kanë marrë viktimën për obduksion.
Nehat Bahtiri, drejtor për Shpëtim në komunën e Mitrovicës, ka thënë se procesi i kërkimit ka qenë delikat sepse ka pas shpresa që viktima mund të ishte gjallë.
“Pas një pune shtatë orëshe, kemi arritur të gjejmë trupin e viktimës të cilin kemi shpresuar ta gjejmë të gjallë. E kemi gjetur pa shenja jete, u shprehim ngushëllime familjarëve. Procesi ka qenë shumë delikat sepse kemi shpresuar se viktima ishte ende gjallë. Jemi munduar me veprime të ngadalshme”, ka thënë ai.
No comments:
Post a Comment