Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë- Durrësit, Imzot George Frendo, në mesazhin e Pashkëve Katolike tha se sivjet po kremtojmë pashkët në një moment shumë kritik dhe të tensionuar në vendin tonë dhe si bari shpirtëror u bëri apel të gjithë politikanëve të angazhohen për një zgjedhje të drejtë dhe të shqetësohen më shumë për të mirën e përbashkët se sa për pozitën që kanë.
“Unë nuk jam politikan, nuk po flas si politikan por jam bari dhe si bari shpirtëror që e do Shqipërinë dhe shqiptarët nuk mund të hesht përballë kësaj situate. U bëj apel të gjithë politikanëve, kanë detyrë morale të angazhohen për një zgjedhje të drejtë dhe të shqetësohen më shumë për të mirën e përbashkët se sa për pozitën që kanë. Situata tashmë është shumë e rëndë dhe sa më shumë të zgjasë, më të mëdha do jenë pasojat për popullin. Ne nuk duam vetëvrasjen e kombit.”
Krishti i ngjallur, tha Imzot George Frendo, në takimet e tij me njerëz pati gjithmonë të njëjtin urim, Paqja me ju!
“Atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti iu thotë falni ashtu sikurse unë iu kam falur. Atyre që protestojnë me dhunë, me vandalizëm Jezusi i kujton fjalët e tij drejtuar Pjetrit kur i tha ‘Të gjithë ata që rrokin shpatën nga shpata do të vdesin. Dhe atyre që kanë autoritet politik iu kujton se në darkën e tij të fundit, pasi i lau këmbët apostujve iu tha ‘ju dhashë shembull; që sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.”
Në fund, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë- Durrësit, Imzot George Frendo, tha se ngjallja e Krishtit na jep shpresë dhe shpresa nuk na bën optimistë, por na bën të aftë për t’u angazhuar për një shoqëri më të mirë: “Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull për popullin. Ngjallja e Krishtit na jep shpresë dhe shpresa nuk na bën optimistë, por na jep kurajë për të përballuar problemet dhe na bën të aftë për t’u angazhuar për një shoqëri më të mirë. Ju uroj nga zemra paqen e gëzimin e Krishtit! Gëzuar!”
Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë sot me drekën tradicionale të së dielës.
“Krishti u ngjall”, është urimi i kësaj dite festive i cili shprehet nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve simbol ky i lindjes dhe kalimit në një jetë të re.
Data e ditës së Pashkëve
Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme, vendoset çdo vit të dielën pasuese, të parën hënë të plotë pas baraznatës (ekuinoksit) të pranverës (21 marsi).
Në lashtësi mund të kishte përdorime të ndryshme vendore mbi ndjekjen e datës, sidoqoftë të gjitha të lidhura me njehsimin e pashkëve hebraike. Në veçanti disa kisha të Azisë ndiqnin traditën e festimit të pashkëve në të njëjtën ditë me ato hebraike, pa përllur të dielën.
Pra data e Pashkëve është përfshirë mes 22 marsit dhe 25 prillit. Megjithatë, për shkak të diferencës 13- ditore midis dy kalendarëve (Gregorian dhe Julian), çdo anëtar i një kishe ortodokse do të vëzhgojnë se Pashka Perëndimore (katolike) bie në mes 9 mars dhe 12 prill në kalendarin Julian.
Në anën tjetër, çdo anëtar i një kishe Perëndimore do të vërejnë se Pashka Lindore (ortodokse) bie në mes 4 prill dhe 8 maj në kalendarin Gregorian.
Datat e Pashkëve nga viti 2019 deri 2030, në kalendarin Gregorian:
Viti 2019 – 21 Prill (Pashkët Katolike), 28 Prill (Pashkët Ortodokse)
Viti 2020 – 12 Prill (Pashkët Katolike), 19 Prill (Pashkët Ortodokse)
Viti 2021 – 4 Prill (Pashkët Katolike), 2 Maj (Pashkët Ortodokse)
Viti 2022 – 17 Prill (Pashkët Katolike), 24 Prill (Pashkët Ortodokse)
Viti 2023 – 9 Prill (Pashkët Katolike), 16 Prill (Pashkët Ortodokse)
Viti 2024 – 31 Mars (Pashkët Katolike), 5 Maj (Pashkët Ortodokse)
Viti 2025 – 20 Prill (Pashkët Katolike), 7 Maj (Pashkët Ortodokse)
Viti 2026 – 5 Prill (Pashkët Katolike), 12 Prill (Pashkët Ortodokse)
Viti 2027 – 28 Mars (Pashkët Katolike), 2 Maj (Pashkët Ortodokse)
Viti 2028 – 16 Prill Viti 2029 – 1 Prill (Pashkët Katolike), 8 Prill (Pashkët Ortodokse)
Viti 2030 – 21 Prill (Pashkët Katolike), 28 Prill (Pashkët Ortodokse)
Pashkët e krishtera janë në lidhje të ngushtë me ato hebraiket, në të cilat festohet çlirimi i hebrejve nga Egjipti prej Moisiut. Fjala Pashkë në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar. Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit dhe përkorimit, që zgjat 40 ditë, që quhen Kreshme që llon nga e “Mërkura e Përhimtë” dhe mbaron të Dielën e Palmave (e fundmja para Pashkëve) që përkujton 40 ditët e kaluara në shkretëtirë të Jezusit në lutje e agjërim dhe që sprovohet nga Djalli.
Vezët- Janë simbol i lindjes dhe rrjedhimisht i kalimit në një jetë të re. Sipas traditës, zogu që del nga lëvozhga është një metaforë që përshkruan Jezusin në aktin e zbulimit të Varrit në kohën e Ringjalljes. Vezët që nga kohët e lashta, me formën e tyre të përsosur, janë simbol i bashkimit të tokës dhe qiellit ose të katër elementeve (ujë, ajër, tokë, zjarr). Si një guaskë që mishëron jetën, janë shenjë e rilindjes së pranverës: vezët rishfaqen në tryezë në ditën e Pashkëve pas periudhës së pendesës Kreshmore. Zakoni i sjelljes së vezëve artificiale si një dhuratë daton në Mesjetë dhe në klasat fisnike: përdoreshin materiale të çmuara si ari dhe argjendi, ndërsa vezët e para me surpriza brenda janë krijuar nga argjendi francez Peter Carl Fabergé në fund të shekulli të XIX të porositura nga carët të Rusisë.
Vezët e çokollatës u shpikën në vend në mes të shekullit të XVIII nga shefët e çokollatave të Francës dhe Gjermanisë. Në fillim vezët ishin plot, me përpunimin e teknikës së përpunimit, u bënë të zbrazura, për të fshehur brenda një surprize.
Qengji dhe Keci- Zakoni i ngrënies së qengjit dhe mishit të kecit vjen nga spiritualiteti hebre. Me rastin e Pashkëve, populli i Izraelit, në skllavëri në Egjipt, morën urdhrin nga Zoti për t’u mbledhur në familje dhe për t’u mbyllur në shtëpi, pasi kishin shënuar derën me gjakun e një qengji ose një keci të ofruar në sakrificë dhe të konsumuar për darkë. Në natën, Engjëlli i Zotit vrau të gjithë fëmijët e lindur të parët në mbretërinë e Egjiptit, njerëz ose kafshë, përveç atyre që strehoheshin në shtëpitë e shënuara me gjakun sakrifikues. Të nesërmen faraoni, gjithashtu i privuar nga djali i tij i madh, i dha Moisiut leje për t’u larguar me njerëzit e tij në Tokën e Premtuar.
Lepuri i Pashkës– Është një simbol i lashtë i pranverës me origjinë pagane, që i përket kulturave anglo-saksone dhe gjermane. Tradita ka lindur në shekullin e XV dhe nga Europa u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku është e përhapur. Kjo kafshë fantastike dhe disi e vogël, simboli i pranverës dhe pjellorisë, tradicionalisht sjell një dhuratë për fëmijët si një shportë me vezë të ngjyrosura, por i përhap në të gjithë kopshtin, duke i fshehur pak kudo. Është detyrë e fëmijëve, në mëngjes të Pashkëve, që të shkojnë në gjueti dhe t’i marrin ato. Është e njohur “Gara e vezëve të Pashkëve” që festohet të hënën në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë në Washington në shoqëri të Presidentit dhe Zonjës e Parë.
No comments:
Post a Comment