Ish –Komandanti i UÇK’së Sylejman Selimi në një letër eksluzive që e ka dërguar në adresë të Gazetës Express ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme e cila e refuzoi kërkesën e tij për lirim me kusht. Në letrën e tij, drejtuar avokatit Tomë Gashi, Selimi bënë me dije se ka marrë vendim që tash e tutje të mos ketë përfaqësim ligjor pasi siç thotë ai procesi kundër tij është i montuar nga politikanët vendës dhe ndërkombëtarë.
Në letrën e shkruar me dorë, Selimi thotë se padrejtësinë daj tij do ta dëshmojë koha dhe se ata që kanë marrë pjesë “në këtë montim politik duke ndërhyrë në drejtësi një ditë kanë me u turpëru para familjeve të tyre dhe para qytetarëve të këtij vendi. Koha do të dëshmojë”.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë letrën e Selimit të shkruar në Burgun e Dubravës të zbardhur nga Gazeta Express.
I nderuar avokat Tomë Gashi…
Dua të ju falënderoj ju avokatin Smith dhe avokatin Dobruna
Për punën e palodhshme që keni bërë që pesë vite duke dhënë kontributin tuaj në procesin gjyqësor si në rastin Drenica 1 dhe 2, edhe pse ishte vetëm Drenica por që u nda padrejtësisht.
Ju dhe ekipa mbrojtëse keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë seancave për të dëshmuar pafajësinë time dhe grupit Drenica1 dhe 2, dhe i ndihmuat trupit gjyqësor që të dalë e vërteta në rastin tim. Por, fatkeqësisht i tërë procesi nga fillimi kishte qenë i padrejtë, i njëanshëm dhe mbi të gjitha politik. Këtë e argumentoi edhe vetë kryetari i trupit gjykues të EULEX-it z. Malcolm Simmons.
Fatkeqësisht i tërë procesi kundër meje po del të jetë proces i montuar nga politikanët vendorë e ndërkombëtarë. Tash e një kohë të gjatë jam duke e pyetur vetën pse më kanë penguar në rrugëtimin tim ndaj proceseve shtetëndërtuese para gjatë dhe pas lufte. Kam qenë bartës i institucioneve dhe bashkëpunues si me përgjegjës të sigurisë ndërkombëtare por edhe me përgjegjësit e sigurisë vendore. E gjithë veprimtaria ime ka qenë në shërbim të vendit tim. Që të kemi një vend të lirë, demokratikë që i shërben çdo qytetari, pa dallim, një vend ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim, pra një vend ku sundon ligji, të cilin e kam respektuar dhe do ta respektojë gjithmonë. Por jam i zhgënjyer në drejtësinë e vendit tim ku tërë jetën time i kam shërbyer me dinjitet e deri në vetëmohim para dhe gjatë luftës për popullin tonë nën organizimin e UÇK-së si komandant i saj.
I nderuar avokat Tomë Gashi, unë që nga sot e kam marrë një vendim që të mos kem edhe më tutje përfaqësues ligjorë (avokat), nga sot nuk dua të kem avokat mbrojtës më vjen keq që deri më tani keni qenë jashtëzakonisht aktiv, në mbrojtjen e pafajësisë time dhe duke e dëshmuar me fakte keni bërë të pamundurën për ta ndihmuar edhe drejtësinë (njerëzit e saj) për ta vënë drejtësinë.
Kjo nuk po ndodh derisa kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vendit i cili edhe është organi më i lartë juridik dhe nuk zbatohet atëherë çfarë të themi çfarë të bëjmë kënd ta pyesim, ku të kërkojmë drejtësi? Ku? Politikës.
Jo, kurrë.
I nderuar Tomë, nuk më duhet avokat derisa politika dhe politikanët në veçanti të cilët vendosin për kënd dhe njerëz të caktuar të bëhet gjyqi dhe sa duhet të mbahen në izolim.
Edhe njëherë ju falënderoj juve dhe gjithë ekipin mbrojtës dhe avokatat e të akuzuarve të tjerë në rastin Drenica 1 dhe 2 për kontributin dhe përpjekjet tuaja për zbardhjen e së vërtetës që dëshmon pafajasëinë tonë. Te grupi Drenica 1 dhe 2.
Të nderuar avokatë në këtë proces gjyqësor nuk pati drejtësi por të gjithë jemi të pajtimit se ka qenë i përgatitur dhe i montuar politikisht dh për këtë do të deshmojë koha. Kurse për ata të cilët kanë qenë të involvuar në këtë montim politik duke ndërhyrë në drejtësi një ditë kan me u turpëru para familjeve të tyre dhe para qytetarëve të këtij vendi. Koha do të dëshmojë. Edhe njëherë faleminderit gjithë ekipit mbrojtës (avokat i nderuar) të rastit Drenica 1. Ju kisha lutë të gjithë ata që në një formë po bie ndërmend emri im mos ta përmendin dhe le të harrojnë që ekzistojë. Drejtësia herët apo vonë do ta thotë fjalën e vetë me respekt Sylejman Selimi, Dubravë.
Me respekt Sylejman Selimi
Dubravë 27.10.2018
No comments:
Post a Comment