S/N

My photo
Vlersimet dhe falenderimet tona per ju qe na ndiqeni nuk mungojn kurre! https://www.facebook.com/MediaLaim/

Sunday, November 11, 2018

Hashim Cena - homazh për oficerin e Mbretërisë shqiptare

Hashim Sali Cena - Kalis 01.01.1907 – New York 22 mars 1980
Në një shkrim të z.Halit Vata, thuhet se gjatë një qëndrimi në katundin Surroj të Kukësit, komandanti i batalionit "Hakmarrja" Petrit Dume, i kërkon të zotit të shtëpisë ku ishte strehuar se çfarë mendonte rreth faktit që Muharrem Bajraktarin nuk e kishte zënë ndonjëherë plumbi!?... Lumjani mikpritës, me gjuhën e tij të zhdërvjelltë, ia kthen se kjo ka ardhur për shkak se nuk e kanë qëlluar asnjëherë drejt për drejt! Më tej ai bën një shpjegim rreth arsyeve të krijimit të legjendës së përhapur se "Muharremin nuk e merr pushka" ku midis të tjerash thekson faktin se çeta e Bajraktarit përbëhet prej djemsh mjaft të përgatitur fizikisht e ushtarakisht dhe specialistë në përdorimin e armëve e në rrethime.
E sollëm këtë ndodhi sot në vëmendjen e lexuesve për të theksuar se çeta e Muharrem Bajraktarit ka qenë e përbërë nga ushtarakë të mirëfilltë, të përgatitur nëpër akademi e shkolla ushtarake. Dhe një prej këtyre djemve të çetës së Muharrem Bajraktarit ka qenë Hashim Sali Cena nga katundi Kalis i Lumës (Gështenjë).
Ky shkrim për jetën e këtij oficeri të dalluar të Mbretërisë Shqiptare, bëhet për të shlyer një borxh moral ndaj historisë së vendlindjes time Lumës, për shkak se historia e saj ende nuk është shkruar e plotë ndërsa mjaft prej personaliteteve të saj, nuk u është njohur kontributi i dhënë në të mirë të krahinës e të vendit. Po ashtu edhe për oficerin monarkist Hashim Cena. Kam shfletuar mijëra faqe shkrime që flasin për ngjarjet e viteve '39-'46 në Lumë dhe ende nuk e kam ndeshur emrin e tij, me përjashtim të një liste që bën z.Neshat Billalli me emrat e luftëtarëve të çetës së Muharrem Bajraktarit ku përmendet edhe Hashim Cena nga Kalisi, në librin e Petrit Palushit «Muharrem Bajraktari në vitet '45-'46».
Kush ishte Hashim Cena?
Atëherë, pra, cili ishte ky njeri që është lënë në harresë padrejtësisht dhe çfarë kontributi ka dhënë. Çfarë ka bërë ky për vendin e vet dhe vendlindjen, Lumën? A ka derdhur aq gjak e djersë sa t'i përmendet emri në një histori krahine apo jo?! Cili është background-i i tij familjar? Sepse tek e fundit sado të përpiqesh të shkruash për tjetrin, nëse ai nuk ka bërë diçka që t'i qëndrojë kohës dhe të ketë konsensusin e të gjithëve, emri i tij vjen një kohë e mbulohet nga pluhuri. Por sido që të jetë, mua nuk më vjen mirë kur shoh librin e bashkëkrahinarit tim Dr.Lutfi Çejku i cili nuk ia përmend Hashim Cenës emrin në 10 faqet e librit të mbushura me emrat e kryefamiljarëve të arratisur, sidomos në kapitullin kur flet për pasojat e diktaturës komuniste në Lumë!... (Shih: "Luma nëpër sfidat e historisë" fq.189-199).
Janë bërë disa monografi deri më sot për figurën legjendare të Lumës, Muharremin, por emrin e Hashimit nuk e kam ndeshur asnjëherë deri më tani, me përjashtim të rastit që cekëm më sipër. Nganjëherë kësaj mungese i jap shpjegimin se kjo vjen ngaqë emrat e shkruesve vijnë nga një qerthull i ngushtë krahinor, të cilët ndoshta nuk e kanë parë të arsyeshme të hapen pak më tej, duke të dhënë përshtypjen se kemi të bëjmë me një tentativë për "privatizimin e Bajraktarit"!
E pra Hashimi ka kontribuar aq në çetën e Bajraktarit, sa t'i përmendet njëherë emri!...
***
Hashim Cena, i lindur më 01.01.1907, rrjedh prej familjes së madhe Cenaj të Kalisit, e cila në historinë e vendit e krahinës ka bërë një emër mjaft të mirë. Gjatë historisë ka nxjerrë burra të përmendur si për trimëri, ashtu edhe për mençuri e bujari. Sigurisht ashtu siç i ka hije një lumjani e veçanërisht një kalisasi. Nga burimet që kemi në dispozicion deri më sot, mund të themi se kontributi më i spikatur i kësaj familjeje ka qenë në luftën kundër invazorëve serbë më 1913, ku gjatë betejës kanë dhënë jetën dy prej burrave më të dalluar të këtij fisi, Sali Cena dhe Nuredin Cena. Në kujtim të tyre dhe disa bashkëfshatarëve të tyre të rënë në luftë kundër shkijeve, në qendër të Kalisit është ngritur një memorial me emrat e të gjithë luftëtarëve të vrarë. E, Hashimi është biri i Salisë, këtij trimi që shkoi deri në blatimin e jetës për atdheun. Për këtë shkak Hashimi do të rritej si i thonë, jetim, në një moshë fare të njomë.
Sidoqoftë duke qenë një tip mjaft i mprehtë ai do të interesohej për dije e kulturë, megjithë gjendjen e vështirë që kalonte shteti shqiptar në atë periudhë të dekadës së parë të pavarësisë. Me të mbaruar ciklet e plota shkollorë, Hashimi hyn në shkollën e xhandarmërisë në Burrel, e cila drejtohej nga instruktorë anglezë. Këtë shkollë ushtarake ai e mbaron me rezultate mjaft të mira. Pas përfundimit të saj, Hashimi i ri do të bëhet një ushtarak efektiv i shtetit shqiptar. Fillimisht, është emëruar postkomandant në Shalë të Dukagjinit, një zonë mjaft e nxehtë kjo, ku kishte shumë probleme me qetësinë e rendin, jo vetëm për shkak të karakteristikave krahinore por sidomos për shkak të ndikimit jugosllav. Pasi shërben për disa vjet në këtë vend, Hashimi transferohet në Vaspas të Kukësit, gjithmonë duke qenë oficer i armës së shkëlqyer të xhandarmërisë së Mbretërisë Zogiste, e cila sot është bërë proverbiale.
Pushtimi italian e gjen Hashimin në krye të detyrës me uniformën e shtetit zogist, dhe prej momentit që këmishëzinjtë vendosin pushtetin e tyre në të gjithë vendit, ai, i brengosur, braktis uniformën e përfaqësuesit të shtetit dhe tërhiqet në jetën private. Gjatë asaj kohe ai ka qenë një propagandist i zellshëm kundër pushtimit italian, dhe prej këtij aktiviteti dhe duke qenë se ishte nën mbikëqyrje nga autoritetet, ai bashkohet natyrshëm me çetën e Muharrem Bajraktarit e cila sapo kishte filluar aktivitetin e saj antiitalian. Prej kësaj kohe e deri më 1946-ën kur pjesëtarët e mbetur të kësaj çete do të mërgonin si emigrantë politikë në Greqi, Hashim Cena do të gjendej përherë krah Bajraktarit. Hashimi, duke qenë një ushtarak i shkolluar, dihet se në raste të ndryshme ka dhënë zgjidhjet e veta për situatat e vështira, që kalonte herë pas here çeta e luftëtarëve të Bajraktarit.
Pushtimi komunist do të ishte një goditje mjaft e rëndë për Hashimin. Duke qenë se ai ishte i arratisur dhe pjesëtar në grupin e Muharremit, i internohet familja, bashkëshortja e re dhe vajza e vogël 6-vjeçe, në kampin e tmerrshëm të Kalasë së Beratit. Përveç kësaj dhuna komuniste, -siç ishte praktikë e njohur, - do të përhapej në të gjithë familjen e fisin. Prandaj atij i digjet kulla dhe i konfiskohet krejt pasuria e familjes. Një vërtetim i Arkivit të Kukësit që mban datën 10.2.1994 jep qartë një pjesë të vlerës e pasurisë së konfiskuar dhe dëshmon faktin e djegies së kullës së Hashim Salisë (Cena) prej partizanëve komunistë. Në këtë dokument thuhet se: në juridiksionin e N/prefekturës është edhe shtëpia e djegur e Asllan Sali Cenës (vëllai i madh i Hashimit - N.K.) dhe dokumenti rreth kësaj djegieje gjendet në D.77; V 1945; faqe 57; nr.128. Në të njëjtin dokument të Arkivit shënohet se shtëpisë së Asllan Sali Cenës i është konfiskuar rreth 1200 franga shqiptare mallra të ndryshme dhe se i janë marrë gjithashtu 1400 krerë bagëti! - Ja pra në çfarë përmasash shkonte terrori komunist e padrejtësia e atij sistemi!
Për shkak të bindjes së tij antikomuniste, Hashimit i internohet bashkëshortja me vajzën e vogël 6 vjeçe, i digjet kulla, i konfiskohen 1200 franga mallra dhe i grabiten e shtetëzohen 1400 krerë bagëti. Shtoi këtu edhe persekutimet ndër anëtarët e tjerë të familjes dhe na del një pamje vërtet rrëqethëse. Ky, pra ishte çmimi që Hashimi po paguante për idetë e veta politike, çmimi që po paguante edhe si një ish oficer i Mbretërisë Zogiste, çmimi që po paguante gjithashtu edhe si një nacionalist i flaktë!
***
I gjendur në këto kushte, Hashimi dhe gjithë çeta e Bajraktarit do të merrnin vendim që të largoheshin nga Shqipëria. Kështu, më 25 gusht 1946, një grup i madh luftëtarësh nisen për të kaluar kufirin për në Greqi. U printe Bajraktari. Nisja bëhet nga vendi i quajtur "Lera e Sorrave" në bjeshkën e katundit Lusën të Lumës. Grupi që do të kapte shifrën e 56 vetëve, në gjirin e tij kishte 16 lumjanë, 4 dibranë dhe 3 të tjerë nga krahina të ndryshme të vendit, ndërkaq pjesa tjetër prej 33 vetësh ishin kosovarë. Fillimisht kalojnë në Maqedoni. Prej momentit kur futen në tokën e Maqedonisë e deri sa dalin në Greqi, çeta do të zhvillonte 5 përpjekje e beteja me forcat e ndjekjes maqedonase. Më 7 shtator 1946 ka qenë përpjekja më e rëndë, ku u vranë numri më i madh i luftëtarëve, rreth 21 syresh, nga të cilët 5 ishin lumjanë e dibranë, ndërsa pjesa tjetër kosovarë. Ndër të vrarët ishte edhe Aziz Gashi, që në Lumë është njohur me emrin Aziz Aga.
Pas kësaj beteje fatale ku për herë të parë plagoset edhe legjenda lumjane Bajraktari, i cili deri atë ditë nuk e kishte provuar plagën e plumbit, një dëshmitar i atyre ngjarjeve Neshat Billalli tregon: "...Ne ishin të lodhur, të uritur dhe s'na bënte përshtypje nëse ishim gjallë a vdekur. U bë natë, ushtria u largua dhe dolëm të kërkonim ujë, e harruam urinë se tani po vdisnim prej etjes. Filluam të grumbulloheshim dhe të bashkoheshim në një vend. Të lodhur shumë, ishte e pamundur të udhëtonim në atë gjendje, prandaj vendosëm të flinim e të merrnim veten. Ramë si të vdekur dhe gjumi na doli aty kur po dilte drita. Ishte 8 shtatori. Nga larg vumë re ushtrinë dhe u përgatitëm të vdisnim. S'kishte rrugë tjetër. Bajraktari tha se sikur po shkojnë punët, edhe një ditë më shumë gjallë, është baft i zotit!..."
Kështu pas këtyre përpjekjeve e betejash, çeta arrin të hyjë në Greqi. Në Greqi janë trajtuar si refugjatë politikë. Hashimi pas njëfarë kohe niset për në Turqi ku ka jetuar rreth dy vjet. Më pas largohet nga Turqia për t'u vendosur përfundimisht në vendin e lirisë e të demokracisë në SHBA. Këtu jetoi deri sa mbylli sytë, larg atdheut e njerëzve të zemrës.
Në SHBA megjithëse nuk kemi ende ndonjë material dokumentar rreth aktivitetit të tij, dimë se ka qenë një anëtar aktiv i shoqatës më të madhe patriotike shqiptare "Vatra". Një ndër miqtë më të ngushtë të Hashimit të emigracion ka qenë Ymer Doda, i cili ka qenë një ndër njerëzit e “Kompanisë 4000”, të organizuar për t'u hedhur si luftëtarë antikomunistë në Shqipëri.
Në SHBA Hashimi, për fat nuk arriti të krijojë një familje të dytë siç bënë një pjesë e mirë e emigrantëve të tjerë politikë. I vetmi dokument që kemi është adresa e tij në SHBA e cila është: «441 Nest 51 st, New York, 19 NY».
Në Nju Jork Hashimi do të mbyllë sytë përgjithmonë më 22 mars 1980, larg familjes e atdheut, larg njerëzve të tij më të dashur, dhe i brengosur e dërrmuar në shpirt.
Tragjedia jetësore e këtij oficeri të devotshëm të Mbretërisë Shqiptare, është një prej tragjedive të shumta të njerëzve të nacionalizmit shqiptar, të cilët patën një histori vuajtjesh me skenar pothuaj të njëjtë. Përpjekje me armë në dorë kundër regjimit komunist. Arratisje. Internim, e burgim i familjes. Konfiskim i pasurisë. E në fund vdekja për së gjalli në dhé të huaj. Lavdi përjetë kujtimit të tyre!

Neritan Kolgjini

Gazeta “Atdheu”, dt.09.12.2001

((((((     Neritan Kolgjini      ))))) 




No comments:

Post a Comment

Edi Rama: Kjo është pikë kufitare, siç shkruan ai

  Edi Rama: Kjo është pikë kufitare, siç shkruan ai Në rastin më të mirë, ky shpërthim emocional i ngjyrave që mbuluan vendkalimin Muriqan m...