Vrasja e 35-vjeçarit Kostandin Katsifas në Bularat të Gjirokastrës, ka ngjallur tensione të reja mes Tiranës dhe Athinës, ku pala greke pretendon se ekzekutimi i tij ka prapavijë etnike.
Këto tensione janë ashpërsuar herë pas here pas ngjarjeve të tilla tragjike që u kanë marrë jetën shumë shtetasve shqiptarë në Greqi. Media vendase thuajse nuk i ka pasqyruar këto ngjarje ndër vite.
Ndërkohë që më poshtë do të gjeni 5 nga vrasjet më të bujshme të shqiptarëve nga policia greke ndër vite për të cilat askush nuk është dënuar:
Më 20 nëntor 2001, Gentian Çeliku, 20 vjeç, humbi jetën gjatë një operacioni të policisë në sheshin “Amerikis” në Athinë. Fillimisht u tha se ai kishte tentuar të godiste me thikë policin i cili vrau emigrantin për vetëmbrojtje. Sipas palës greke shkak ishte “shkrepja aksidentale të armës së policit”. Polici nuk u dënua për ngjarjen.
Më 23 shtator 2003, Vullnet Bytyçi, 18 vjeç, u vra pranë kufirit greko-shqiptar në zonën e Follorinës. Edhe në këtë rast policia pretendoi për goditje aksidentale.
Më 8 nëntor 2007, 45-vjeçari Hilmi Latej, baba i 5 fëmijëve u godit pas shpine nga policia që po ndiqte 11 shqiptarë kur po kalonin kufirin në afërsi të fshatit Levea të Follorinës. Policia tha se ngjarja ndodhi nga vetëshkrepja e armës së forcave të rendit.
Më 27 mars 2014, shqiptari Kudret Kume, që në Greqi njihej me emrin Ilia Kareli, u gjet i vdekur në qelinë e burgut tri ditë pasi kishte vrarë një gardian grek. Në qelinë ku shqiptari ishte masakruar nga të paktën 15 policë të burgut nuk kishte kamera.
Më 3 gusht 2016, emigranti shqiptar Pëllumb Marnikollaj, 28 vjeç, u paraqit në komisariatin e policisë Patisia të Athinës, në zbatim të detyrimit për lirimin me kusht në maj të atij viti. Disa javë më vonë trupi i tij u gjet në një morg të zonës ndërsa policia greke tha se shqiptari u hodh vetë, me qëllim që t’i shpëtonte një arrestimi të dytë.
Për shkak të akuzave të familjarëve, në nëntor 2016, prokuroria e Athinës urdhëroi fillimin e një hetimi të ri, me akuzën e dëmtimeve të personit me pasojë vdekjen, por ky hetim ende nuk ka arritur ndonjë rezultat.
No comments:
Post a Comment