Intervistoi Sebi Alla
Në momentin e parë që shkeli në Parlament, emri i saj vriste më shumë se prania. Shumëkush që mendoi se ishte aty vetëm për hir të babait Azem Hajdari (i shpallur Hero i Demokracisë), duket se gaboi. Protagoniste në momentin kyç kur PD vendosi të dilte nga sistemi duke djegur mandatet e deputetëve dhe vendimi i Hajdarit për të qëndruar brenda institucioneve dhe për të ngritur zërin kundër disa nismave të qeverisë.
Zonja Hajdari, u mbushën tri vite aktive në jetën politike, por njëkohësisht edhe një vit akuza për “tradhti” të subjektit politik PD, protagonizëm në Parlament, me kritika të qenësishme ndaj qeverisjes dhe “e sulmuar” nga të dyja anët. Përtej perceptimit dhe gjykimit në distancë, politik apo publik, si do ta përshkruanit karrierën tuaj nga momenti që u betuat si deputete në vitin 2017 dhe deri më tani?
Ka qenë një eksperiencë e cila më ka përballur me shumë sfida dhe e ndiej që gjatë kësaj periudhe jam rritur si person në një periudhë relativisht të shkurtër. Ndihem më e sigurt në vetvete dhe në hapat që bëj, por thelbi im si njeri nuk ka ndryshuar, është i njëjtë me atë të tri viteve më parë apo 10 viteve më parë. Pa dyshim kam pasur edhe dobësitë e mia, duke marrë parasysh që formësimi im lidhet me kohën që kam shpenzuar në Amerikë që prej vitit 2002 dhe e kam limituar kapacitetin e të shprehurit lirshëm. Është një problem për të cilin shumë njerëz që kanë emigruar në Amerikë apo në Itali për një kohë të gjatë, më kuptojnë. Por ky fakt nuk ka dëmtuar logjikën time politike apo mënyrën se si i marr unë vendimet. Prandaj, ata që më kanë paragjykuar, kanë gabuar rëndë. Shiko, fjalori dhe artikulimi im në shqip do të përmirësohen, për këtë ju siguroj, sepse unë jam njeri që punoj pa fund për të realizuar aspiratat e mia dhe të atyre që përfaqësoj, por e shoh të vështirë që të ndryshojë kjo sjellje e kësaj klase politike, mendësia e tyre grabitqare, e cila u ka sjellë kaq shumë dëme njerëzve dhe vendit. Ata janë problemi ynë dhe unë dua shumë ta zgjidh këtë. Rruga që unë mora përsipër është një përgjegjësi shumë e madhe, sidomos kur merr parasysh faktin që jam e bija e dikujt me një peshë të madhe historike. Kështu që, kjo e shton përgjegjësinë mbi vendimet që unë marr. Për mua politika është mbi të gjitha një sfidë me vetveten për të kuptuar thellësisht në qenien tënde se çfarë të motivon te vetja për të ndihmuar njerëzit dhe vendin tënd. Kur ky është një burim i pastër, atëherë është e lehtë që të mbizotërosh se kush je dhe duhet të luftosh me çdo çmim apo çdo vështirësi që të del përpara. Sa herë në rrugë më ndalon një qytetar dhe më shtrëngon dorën apo më përqafon një nënë plot dashuri, unë marr më shumë energji dhe ndihem akoma më e bindur se kjo është rruga e drejtë. Aty e gjej forcën, te njerëzit e thjeshtë. Në fund të ditës unë besoj se politika duhet të jetë arti i zgjidhjes së problemeve të shumicës së njerëzve e jo mjet për të pasuruar një pakicë.
Ju ishit deputetja që nuk iu bindët vendimit politik të subjektit që përfaqësonit, PD, për djegien e mandateve të deputetit. Përse refuzuat dhe në vazhdën e kësaj pyetjeje, thuajse çdo delegacion i rëndësishëm që ka ardhur nga jashtë është takuar edhe me ju, (veçanërisht përfaqësues politik nga SHBA), mos edhe vendimi juaj për të mos djegur mandatin e deputetes ka qenë edhe këshillë nga SHBA?
Vendimi për të mos e djegur mandatin ka qenë një vendim i vështirë, por në thelb një vendim i drejtë. Koha tregoi që edhe përballë një qeverisjeje autokratike, metodat jodemokratike e dëmtojnë opozitën dhe forcojnë pozitat e qeverisë. Asnjëherë me mjete jodemokratike nuk mund të përmirësosh demokracinë dhe të luftosh kundërshtarin politik, sepse kjo të bën njësoj me të. Braktisja e mandateve e dobësoi rolin e Parlamentit dhe bllokoi zhvillimin e vendit dhe kjo ndihet dhe te qytetarët. Bota lufton në rrugë për t’u bërë pjesë e sistemit me mendimin se bëhesh më i fortë. Është një koncept që nuk e kuptoj dhe nuk kam për ta kuptuar kurrë pse e bënë. Ky veprim nuk do t’i falet Partisë Demokratike, partisë së parë pluraliste që solli demokracinë në Shqipëri pas 50 vitesh komunizëm. Vërtet akoma jemi shumë larg nga ato parime që u premtuan në ato vite, por ky vendim pati një kosto shumë të madhe për vendin dhe shqiptarët dhe ndërkohë me këtë veprim nuk fituan asgjë. Por, le të shpresojmë se eksperienca e hidhur e vitit të kaluar mund të konfirmojë përfundimisht se në të ardhmen, asnjë aktor politik nuk duhet t’i shkojë më në mendje se mund të fitohet simpati dhe vota duke braktisur institucionet. Eja shohim pak realitetin pa syze partie. Nëse unë dhe kolegët e mi nuk do të ishim në Parlament, aty nuk do të kishte sot fare debat. Prezenca jonë siguron që qytetarët si minimum të informohen mbi çfarë ndodh dhe shpeshherë ia kemi vështirësuar apo edhe pamundësuar mazhorancës të kalojë ligje të dëmshme. E pra, ne nuk jemi aspak problem, por ata që ikën ia lanë fushën bosh palës tjetër që ajo të bëjë çfarë të dojë. Eja shohim pak pasojat e bojkotit të zgjedhjeve vendore. Mijëra shqiptarë, simpatizantë të PD-së, sot janë hequr padrejtësisht nga puna prej kryetarëve të rinj, duke i lënë ata rrugëve me hallet e tyre familjare dhe Rama kontrollon sot gjithë territorin e vendit. Kush e mundësoi këtë? A e shkaktova unë këtë problem? Aspak. Nëse do të ndiqej rruga ime, sot PD do të ishte opozitë e fortë në Parlament dhe me pushtet të rëndësishëm në bashkitë e vendit dhe shqiptarët e dinë këtë, sepse kjo është e vërteta. Mjafton ta shohësh me sy. Me delegacionet ndërkombëtare takohem dhe komunikoj shpesh për shkak edhe se fokusohem goxha në politikën e jashtme të vendit. Mendoj se tek unë ata gjejnë një person politik të qëndrueshëm dhe besnik në komunikim dhe në veprim. Një politikane, e cila vërtet është e interesuar për zhvillimin dhe interesin e vendit, pavarësisht përkatësisë apo bindjes politike. Është një mentalitet që ata e përqafojnë dhe e kuptojnë tek unë dhe ndihen shumë komode në komunikim dhe, pse jo, të japin edhe këshilla nëse unë i kërkoj ato.
Në një nga intervistat e para që më keni dhënë pas ardhjes nga SHBA dhe angazhimit në PD në vitin 2017 (para se të përfshiheshit në lista për deputetë) jeni shprehur: “Basha është një lider me format bashkëkohor, është në moshë politike të re, por garanton perspektivë ekzekutive. Veçanërisht teksti i tij politik artikulohet me sukses me të huajt, intelektualët dhe është shumë i kapshëm nga njerëzit e thjeshtë. Ekspozon jo vetëm faktet, por ofron zgjidhje”. A e keni më këtë perceptim për Bashën?
Mendoj se formimi i zotit Basha është i tillë, por nuk mund ta mohoj që edhe jam ndier e zhgënjyer në disa raste, ashtu siç mund të jetë edhe ai i zhgënjyer. Kjo mund të jetë relative. Gjithsesi, figura e tij si lider, në opinionin tim, nuk ka pasur qëndrueshmëri. Mendoj se sot demokratët dhe shqiptarët duan një lider që udhëheq me vizion e qëndrueshmëri dhe ata t’i besojnë, sesa një lider që do të përmbushë pritshmëritë e një elektorati të caktuar apo thjesht disa personave të caktuar. Nuk del kurrë i fituar ashtu. Ka pasur raste, me aq sa unë e njoh, që më është dukur jashtë vetes. Nuk jam e sigurt nëse kjo vjen nga këshillat që merr apo nga vetë ai.
PD dhe LSI mbushën një vit nga djegia e mandateve. Ka dështuar apo arritur sukses në kauzën që ngriti opozita, duke kaluar drejt një vendimi ekstrem politik në braktisjen përfundimtare të Parlamentit? Ndërsa kohët e fundit i është bashkuar tryezës së reformës zgjedhore, ku edhe ju jeni pjesë.
Kthimi i tyre në institucione më dha të drejtë mua dhe kolegëve të mi. Ishte pranim nga ana e tyre i faktit se braktisja ishte një gabim i cili sigurisht që solli dëme për vendin, por edhe për ta. Jam ulur në një tryezë e cila për mua ka rëndësi, për dy arsye: që më në fund uli palët bashkë për të gjetur një gjuhë të përbashkët për reformën zgjedhore, por edhe për të sheshuar konfliktet për hir të integrimit të Shqipërisë në BE. Ne vazhdojmë të besojmë fort se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse me sa më shumë aktorë politikë e jopolitikë, ekspertë vendës e të huaj si dhe mbështetur prej partnerëve tanë ndërkombëtarë. Që një reformë kaq e rëndësishme të jetë e besueshme dhe jetëgjatë, ajo duhet të ketë dakordësinë e të gjitha palëve relevante politike e shoqërore në vend. Gjatë gjithë angazhimit tonë, ne kemi insistuar në gjithëpërfshirje. Dhe ja ku jemi sot, pas një viti stërmundimi e lodhjeje të panevojshme për shqiptarët, ne sot kemi një dakordësi nga të gjitha palët për t’u ulur në tavolinë dhe gjatë javës së kaluar kemi vënë re angazhimin e partive politike jashtë Parlamentit për t’u përfshirë në procesin e reformës zgjedhore. Por, gjithsesi, reforma zgjedhore do të bënte sens dhe do të jepte sinjale pozitive për qytetarët vetëm nëse u jep mundësinë atyre që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë më të drejtpërdrejtë, ashtu siç e përcakton edhe Kushtetuta. Ndryshimi i sistemit dhe sidomos hapja e listave do ta sillte këtë risi të rëndësishme dhe do të përmbushte detyrimet kushtetuese që ne kemi ndaj zgjedhësve tanë. Ndryshimi i sistemit do të ishte zhvillim pozitiv për vendin dhe do krijonte kushtet për një demokraci më funksionale në Parlament.
Kemi një qeverisje e cila në shtatë vite ka shumë akuza për korrupsion, varfëri në vend, braktisje nga të rinjtë duke emigruar, por edhe një mungesë të dukshme shprese. Ndërkohë, ekziston një reagim masiv, sidomos nga “elektorati gri”, i cili është i zhgënjyer nga klasa politike e 29 viteve të fundit. A mendoni se në zgjedhjet e ardhshme kasta politike aktuale do të pësojë goditje?
Mendoj se po, pa asnjë dyshim. Faktet e pakundërshtueshme janë se, pavarësisht propagandës së palëve të vjetra politike, që e kanë mbajtur peng vendin përgjatë tri dekadave, pas 29 vitesh shumica dërrmuese e shqiptarëve ndihen të zhgënjyer nga partitë politike dhe njerëzit që kanë dominuar në politikën shqiptare. Kush nuk do të ndihej i lodhur, nëse për 29 vite rresht do të ushqehej me të njëjtën gjellë dhe do të dëgjonte të njëjtën muzikë? Viti që lamë pas ishte një prej viteve më të vështira për vendin tonë. Një vit ku kriza politike dominoi dhe aventurat me fatin e shqiptarëve nuk munguan. Në këtë kontekst të vështirë e intimidues, besoj se angazhimi ynë në Parlament ka qenë kyç dhe i ka shërbyer vendit. E them këtë, sepse pavarësisht makinerisë së përbaltjes për të delegjitimuar këtë institucion bazë të demokracisë që ka 100 vjet ekzistencë, duhet të respektohet dhe mendoj se puna jonë në Parlament po fillon të japë frytet e para të saj, që nga përfundimi i paketës ligjore për reformën në drejtësi e deri te reforma zgjedhore. Me mbajtjen e mandatit parlamentar, unë besoj përulësisht se bashkë me disa nga kolegët e mi i kemi shërbyer vendit tonë, me aq sa ne kemi mundur. Disa cinikë mund të na kenë paragjykuar, por ne kemi qëndruar fort, duke i shërbyer axhendës euroatlantike të vendit. Shqiptarët gjatë vitit 2019 kanë përjetuar sërish në mënyrë të padrejtë momente kritike dhe tërësisht stresuese në jetët e tyre familjare. Politika nuk duhet të bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë dhe të rëndojë mbi jetën e çdo qytetari. Ndërkohë që e ardhmja e tyre në Shqipëri vihet gjithnjë në pikëpyetje, neve na takon të gjenerojmë shpresë dhe alternativa të besueshme për qytetarët.
Brenda PD-së është qartësuar se nuk keni më mundësinë e rikthimit. A po mendoni për krijimin e një subjekti të ri politik? Nëse po, besoni se qytetarët shqiptarë janë shkëputur nga “militantizmi ekstrem”, duke përzgjedhur vetëm tri subjekte, apo mendoni se ka ardhur koha që do të kërkojnë alternativa të reja dhe a e shihni veten si alternativë të re dhe të ndryshme nga e shkuara?
Partia Demokratike nuk arriti të mbante dot njerëzit më të aftë brenda partisë dhe kjo është për të ardhur keq. Në një parti duhet të ketë gërshetim individësh me eksperiencë dhe me të rinj. Ajo parti është dëmtuar sepse u ka dhënë më shumë hapësirë aleatëve të Partisë sesa vetë personave që kanë investuar në atë Parti. Nuk më vjen mirë të them që nuk e shikoj rikthimin, por unë besoj të rimëkëmbja e frymës opozitare. Deri më sot kemi parë një elitë politike pa vizion për shqiptarët, por e kanë parë çdo zhvillim të vendit për të mirën e karrierës politike. E kanë shfrytëzuar çdo kartë të mundshme për të marrë besimin e shqiptarëve dhe më pas i kanë flakur tej në momentin që kanë pasur pak pushtet. Ka nevojë për një ndryshim rrënjësor sepse këta individë kanë dëmtuar bazën e shoqërisë. E kanë kthyer shoqërinë tonë në një shoqëri nihiliste që nuk besojnë në asgjë dhe askënd.
Para pak ditësh u përkujtua 29-vjetori i rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha, duke u krijuar në vijim edhe perceptimi kolektiv se komunizmi ra. Por a ka rënë vërtet në mënyrat qeverisëse dhe në sjellje politike?
Pavarësisht se kemi pasur edhe progres në këto 29 vite, mendoj se kemi dështuar në dy nga aspiratat e lëvizjes së studentëve në fillimin e viteve ‘90. E para, nuk arritëm kurrë të dënojmë krimet e komunizmit dhe sikur mos të mjaftonte kjo, kemi lejuar që ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të regjimit dhe të ish-sigurimit kanë qenë pjesë e vendimmarrjeve politike në këto 29 vite. Jo vetëm kaq, nuk kemi arritur kurrë t’i dëmshpërblejmë plotësisht të gjithë ish-të përndjekurit politikë. Të dy krahët i kanë përdorur politikisht për të fajësuar palën tjetër. Shumica e tyre tani ose kanë kaluar në moshë të tretë, ose kanë vdekur dhe familjet e tyre nuk e kanë shijuar kurrë “ardhjen” e demokracisë në Shqipëri. Aspekti tjetër është se kemi ngelur në të ashtuquajturën fazë tranzicioni, pra akoma nuk kemi një demokraci funksionale në Shqipëri. Sot që flasim nuk respektohen parimet bazë të Kushtetutës së Shqipërisë. Pra, ka akoma shumë për të bërë dhe kjo do të ndodhë vetëm kur politika e vjetër të pastrohet nga individë që kanë bllokuar proceset demokratike të Shqipërisë.
No comments:
Post a Comment