Drejtuesit e shkollës private “Udha e Shkronjave” në Tiranë kanë marrë vendim për ta mbyllur për dy javë, si një masë parandaluese ndaj përhapjes së mundshme të coronavirusit. Ndonëse asnjë rast infektimi nuk është konfirmuar në vendin tonë dhe autoritetet japin garanci se janë të përgatitura për t’u përballur me çdo rrezik, drejtuesit e kësaj shkolle kanë vendosur për mbylljen dy javore.
Siç bëhet me dije nga njoftimi, nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm do t’i ndjekin mësimet “online”, praktikë që, sipas shkollës, ka rezultuar edhe në raste të tjera si e suksesshme.
“Ky vendim nuk duhet parë si reflektim i ndonjë informacioni konfidencial, por si pjesë e dyshimit tonë. Do të thotë që ne nuk kemi informacione më shumë se sa jepen në publik dhe sa dini ju, por marrim masa të natyrshme që prindërit të kenë kohë të marrin masa edhe më të forta në rast se është e nevojshme”, thuhet në njoftimin e drejtuesve të “Udhës së Shkronjave”.
Por ky vendim është kundërshtuar ashpër nga Zyra Vendore Arsimore në Tiranë. Drejtuesit e “Udhës së Shkronjave” janë paralajmëruar nëpërmjet një e-mail’i se mund t’u hiqet edhe licenca.
“Ndërprerja e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar jopublik “Udha e shkronjave”, pa urdhër të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, do të konsiderohet shkelje e rëndë e kritereve të licensimit dhe do i kërkohet menjëherë Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë revokimi i licensës për shkollën jopublike “Udha e shkronjave”, – thuhet në mesazhin që ka mbërritur nga ZVA Tiranë për shkollën private.
Konfirmimi i mbi 150 raste të infektimit me coronavirus në Itali ka rritur frikën se virusi vdekjeprurës mund të hyjë edhe në Shqipëri, megjithatë, autoritetet thonë se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese në pikat kufitare.Fjala.al
No comments:
Post a Comment