Thellohet skandali dhe kaosi në Kadastrën e Vlorës. Tre drejtorë brenda 1 muaji japin dorëheqjen dhe shkak është fakti që nuk arrijnë të zbatojnë një vendim të Gjykatës së Lartë, për një pronë në bregdet.
I pari që dha dorëheqjen në 9 shtator ishte Florian Almadhi,i cili u zëvendësua nga Alteo Nazeraj. Ky i fundit nuk qëndroi as 10 ditë në detyrë dhe deklaroi gjithashtu dorëheqjen. Në vend të tij u emërua Elona Hodaj, e cila bëri të njëjtin akt sot.
Të gjithë largohen nga drejtimi i Kadastrës me pretekstin e problemeve personale apo shëndetësore, por ngërçi qëndron në zbatimin e një vendimi të gjykatës së lartë. Mafia e pronave kërcënon drejtorët të mos e zbatojnë këtë vendim që ndalon cdo veprim për shitjen ose blerjen e një prone në bregdet dhe ata nuk gjejnë rrugë tjetër, veçse të firmosin dorëheqjen.
Vetëlargimet në seri vijojnë ta mbajnë në kolaps situatën në Kadastrën e Vlorës, ku brenda 1 muaji janë ndryshuar disa drejtorë, nëndrejtorë dhe juristë fakt që tregon se ky insitucion vazhdon të mos funksionojë.
Regjistrimi i nje prone në bregdet duket se mban peng ecurine e punës së ketij insitucioni. Me një vendim të Gjykatës së Lartë, kjo pronë duhet të bllokohet e të mos vijojnë procedurat e shitjes apo blerjes, ndërsa më herët Gjykata e Apelit kishte vendosur vijimin e këtyre procedurave.
Për rastin e fundit të dorëheqjes, BW raporton se drejtoresha tashmë e dorëhequr Elona Hodaj dhe nëndrejtori Taulant Canameti kanë pasur përplasje mes tyre pasi kanë dhënë 2 vendime të kundërta mbi pronën. Canameti sipas burimeve firmosi bllokimin për pronën në bregdet duke zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë, ndërsa Elona Hodaj, e anuloi firmën e Canametit me argumentin se nuk e kishte autorizuar.
Kaosi në drejtimin dhe funksionimin e Kadastrës mund të vërehet edhe nga jashtë godinës, rreth së cilës shpesh vihen re efektive civilë të policisë që besohet se qëndrojnë aty për sigurinë e institucionit.
No comments:
Post a Comment