Hoxha nga Peja, Drilon Gashi, po thotë se burka duhet të ndalohet sepse është adet arab dhe se nuk është rit fetar. Sipas hoxhës, nuk ka ajet kuranor apo hadith që urdhëron diçka të tillë.
Ky reagim i hoxhës erdhi pas lajmit që u publikua nga Gazeta Express se si një grua në Luginën e Preshevës po u ligjëron fëmijëve e veshur me burkë.
“Burka nuk është urdhër as kuranor dhe as fjalë e profetit Muhamed. Më shumë është adet arab që është futur në fe dhe tash po konsiderohet si rit fetar”, ka thënë hoxha Drilon Gashi për Gazetën Express.
Ndërsa lidhur me rastin e mësueses që po iu ligjëron fëmijëve të moshës 6-9 vjeç, hoxha Drilon Gashi tha se kjo është e paarsyeshme pasi para fëmijëve nuk obligohet as shamia e lëre më burka.
“Veshja e burkës në klasë është më e arsyeshme me u ndalu. Kjo sepse nxënësi kur e sheh mësuesen me burkë, ai mund të frikësohet. Madje para fëmijëve nuk është e obliguar as shamia, e lëre më burka”, është shprehur hoxha Drilon Gashi.
Mbulimi i tërësishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Kështu ka thënë edhe profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti.
Duke interpretuar Kuranin, ai ka thënë se me Librin e Shenjtë fytyra e njeriut është pa burkë.
“Njeriu është i lirë të vishet si të dojë, por mbulimi i tërsishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Mbulimi i plotë i fytyrës është një prodhim i grupeve dhe shoqërive të caktuara, si rezultat, kryesisht i injorancës fanatizmit, konservatizimit dhe interpretimit ideologjik sektar”, ka shkruar ai në Facebook.
“Sipas Kuranit, fytyra e njeriut edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër është – pa peçe, burka, pa ferexhe, pa nikabe. Ajo është e lartësuar estetikisht, si e tillë është e zbuluar, sepse në të janë shqisat më të rëndësishme”komunikuese” të qenies njerëzore: sytë, veshët, hunda, goja etj.”, ka theksuar Hamiti.
“Fytyra e njeriut në Kuran përmendet në raportin moral dhe emocional si pjesë shprehimisht shpirtërore e trupit të njeriut. (Me shpinë nuk mund të qeshim ose të mrrolemi! As me bark, as me gjoks, nuk qeshemi/murrëtohemi, etj.!) Vetëm në fytyrë shpërfaqet fuqishëm gëzimi, shendi e hareja, por edhe pikëllimi, mjerimi, depresioni, melankolia dhe zia”, ka shkruar ai.
“Religjionet semite, as cilatdo fe të tjera të botës nuk e lidhin konceptin e lakuriqësisë me fytyrën e njeriut. Në Kuran dhe hadith fytyra e njeriut nuk trajtohet asgjëkundi si pjesë e trupit që është “lakuriq” ose “cullak”!”, ka thënë Hamiti.
No comments:
Post a Comment