Stevo Pendarovski, kandidat i Lidhjes Social Demokrate i mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe një sërë partish të tjera më të vogla e organizata joqeveritare, në një intervistë për VOA shprehet se ofron konceptin “Një shtet për të gjithë”, një shtet ku nuk do të ketë padronë dhe qiraxhinj apo të nënrenditur, as qytetarë të rendit të parë e të rendit të fundit.
“Përfshirja në shtetin dhe shoqërinë e Maqedonisë është receta e vetme për suksesin e këtij vendi për të gjithë këtu dhe shqiptarët e njohin këtë koncept,” thekson Pendarovski.
Ndërsa, Gordana Silanovska Davkova, e cila garon si kandidate presidenciale e VMRO-DPMNE-së së opozitës, dhe e vlerësuar si nacionaliste, përkundër kërkesës për intervistë nga VOA, nuk mori përgjigje. Ajo ka zhvilluar një fushatë me sulme ndaj kundërkandidatit presidencial Pendarovski dhe Lidhjes Social Demokrate në pushtet, duke i paraqitur ata si përgjegjës për shitjen, sipas saj të emrit, të popullit dhe identitetit maqedonas. Silanovska është shprehur se ajo vetë nuk do ta përdorë emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut” nëse bëhet presidente, dhe se do të kërkojë mënyra për kthimin e emrit Republika e Maqedonisë.
Ndërkohë Blerim Reka i cili garoi në raundin e parë por nuk arriti të kalojë në balotazh, u ka bërë thirrje votuesve të tij që në mënyrë masive të dalin në zgjedhjet e së dielës që të tregojnë se janë faktor vendimtar në proceset euro-atlantike. Kjo thirrje u lexua si mbështetje për zotin Pendarovski të koalicionit qevetitar, ndonëse zoti Reka shprehej se nuk do të bënte tregti me votat.
Sidoqoftë, bojkoti eventual ose mosarritja e pragut prej 40 për qind të pjesëmarrjes në balotazh, do t’i bënte zgjedhjet të pavlefshme.
Kështu që kryetari i Parlamentit, në këtë rast Talat Xhaferi do të merrte përgjegësitë si Ushtrues i Detyrës së Presidentit deri në organizimin e zgjedhjeve të radhës, pas gjashtë deri nëntë muajsh. Zoti Xhaferi ka lënë të kuptohet se kjo do të paraqiste një barrë për të dhe për institucionet dhe nuk do t’i ndihmonte aspak proceset.
Ndryshe, zgjedhjet do të vëzhgohen nga 3300 përfaqësues vendas dhe mbi 500 vëzhgues të organizatave të huaja./VOA/
No comments:
Post a Comment