Xheison, djali i cili ka spikatur në emisionin “Në kurthin e Piter Pan”, së shpejti do ti ndryshojë jeta, ndërsa do të zhvendoset me familjen në Tiranë.
“Dua që kur të rritem unë, t’i ndërtoj familjes time një shtëpi të re… kur të rritem do ta bëj”. Ishte pikërisht kjo dëshira e Xheisonit në ditëlindjen e tij të 8-të, të cilën e shprehu në skenën e spektaklit “Në kurthin e Piter Pan”, në Televizionin Klan.
Taramelja, siç e njohin ndryshe, ka bërë për vete zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe të drejtueses Alketa Vejsiu dhe stafit të spektaklit. Së shpejti ai do të jetojë në një banesë në Tiranë, e këtë lajm e ka konfirmuar gjatë spektaklit mbrëmjen e sotme themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari.
Kontributi për t’i ardhur në ndihmë Xheisonit dhe familjes së tij ka nisur që nga java e kaluar. Vetëm në një javë, llogaria ka kaluar më shumë se 15 mijë euro, dhe çdo ditë kjo shifër rritet me vlera të mëdha e të vogla.
Drejtori ekzekutiv i “Fundjavë Ndryshe” ka shprehur falenderimet ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar për të ndihmuar Xheisonin, dhe familjen e tij: “Shtëpia e Xheisonit është gjetur. Është një shtëpi shumë e mirë, e madhe, në zonën e Freskut në Tiranë. Së shpejti, do ta sjellim Xheisonin në Tiranë…” , tha Arbër Hajdari.
Ai shtoi më tej se për “Fundjavë Ndryshe”, kjo është shtëpia e 253-të që po ndërtohet për familjet në nevojë.
No comments:
Post a Comment