Komisioni Europian nxit dialogun mes Shqipërisë dhe Greqisë për të diskutuar për çështjet e mbartura mes dy vendeve. Këtë qëndrim e përforcoi zëdhënësja Maja Koçijançiç, në daljen përpara mediave, kur është pyetur nga gazetarët grekë në Bruksel për deklaratat e Komisionerit Hahn, i cili përmendi edhe Çështjen Çame.
“Kur flitet për Shqipërinë dhe Greqinë, Komisioni është informuar në fillim të vitit nga të dy vendet se ka qëllime për të thelluar dialogun mes tyre dhe të diskutojnë një sërë çështjesh të mbartura, që kërkojnë qartësi për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe. Dhe në këtë kontekst, Komisioneri rekomandoi veçanërisht propozimin e palës greke për të caktuar një platformë e cila mund të lejojë më shumë dialog konstruktiv, lidhur me të gjitha çështjet që duhet të qartësohen mes dy shteteve. Po në këtë konktekst, Komisionieri inkurajoi të dy vendet që të vijojnë bashkëpunimin. Kjo është dhe fryma në të cilën Komisioneri i përgjigjet një numri pyetjesh nga anëtarët e Parlamentit Europian dhe ato duhet të shihen në këtë dritë. Ne jemi të informuar mbi qëndrimet e dy vendeve për të thelluar dialogun dhe duke i inkurajuar ata që të shmangin keqkuptimet e mundshme mbi çështjet më të rëndësishme”, tha Koçijançiç.
Por, sërish gazetarja greke ka këmbëngulur nëse ekziston apo jo një çështje e tillë.
“Komisioni po ndjekn angazhimin e të dyja vendeve për të diskutuar çështje të mbartura që kërkojnë sqarim në mënyrë që të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet dypalëshe. Nuk ka shkuar përtej kësaj, nuk marr një pozicion”, deklaroi Koçijançiç.
Por, Athina zyrtare sërish është e revoltuar me qëndrimet e Komisionit Europian. Menjëherë ka reaguar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Stratos Efthimiu, duke deklaruar se “disa njerëz në Bruksel nuk e kuptojnë rëndësinë e të mosgënjyerit”.
No comments:
Post a Comment