Paketa Anti-KÇK e Ramës, përballë koncesioneve të shumta të qeverisë që ka dhënë për oligarkët klientë të tij, është një tallje e madhe për shqiptarët. Skenari i Kryeministrit për të luftuar abuzimin me paratë e qytetarëve po aplikohet pasi ka “dorovitur” me miliona dollarë dhe euro Vilma Nushin, Rrok Gjokën, Ndue Kolën, Klodian Zoton, Bashkim Ulajn, Fushën e Salillarin. Eshtë koha që drejtësia e re të marrë nën hetim kreun e skemës “Kap ç’të Kapësh”, vetë Edi Ramën dhe oligarkët klientë të tij.
Kryeministri Edi Rama ka dalë ditën e sotme dhe ka prezantuar para socialistëve dhe përballë publikut draftin e Paketës Anti-KÇK
Ndonëse kishte dhe disa pyetje me “spec” të artikuluara nga moderatori i këtij takimi në formë spektakli, ishin pyetje me leje të kuptohemi, Rama në përgjigjen e dhënë për koncesionet e dhëna përmes PPP-ve të famshme është munduar të shmanget, duke argumentuar se shteti s’ka lekë.
Për hir të së vërtetës nuk është shprehur askush kundër koncesioneve, qoftë dhe me PPP, por ato duhet të bëhen me transparencë të plotë dhe me një garë normale, ku të jenë të ftuara kompani vendase dhe të huaja dhe jo të jepen me urdhër për oligarkët klientë të tij shuma miliona dollarë.
Për të qënë korrektë me gazetën dhe qytetarët që na lexojnë, arsyetimin tonë po e mbështesim në një mendim të specializuar, të dhënë përmes ekspertit të ekonomisë, Pano Soko.
Ky arsyetim konsiston në faktin se paketa Anti-KÇK e Ramës, përballë koncesioneve të shumta të qeverisë që ka dhënë për oligarkët klientë të tij, janë mbi 3 miliardë dollarë gjithsej, është një tallje e madhe për shqiptarët.
Kjo masë drastike ligjore e qeverisë ka një ngjashmëri të madhe me aksionin për shkatërrimin e parcelave të drogës në Shqipëri, pikërisht në momentin kur periudha e korrjes së hashashit kishte përfunduar, madje ishte bërë dhe paketimi dhe magazinimi i tij.
Kështu, kryeministri Rama i shpalli luftë KÇK-së me atë spektakël të ditë së sotme, pikërisht pasi ka dhënë konçesionin e check-up me një vlerë prej 90 milionë dollarësh, sterilizimin 160 milionë USD, Dializën 70 milion USD, shërbimin laboratorik 90 milion USD, inceneratorin e Elbasanit 52 milion USD, inceneratorin e Fierit 40 milion USD, inceneratorin e Tiranës 310 milionë USD, rrugët e Devollit 68 milion USD, ndërtimin e shkollave në Tiranë 80 milion USD, rrugën Milot Balldren 300 milionë USD, rrugën Orikum- Llogara 75 milion USD, Traun e Rrugës së Kombit 470 milion USD dhe Rrugën e Arbërit me vlerë 400 milion USD.
Pra janë dhënë gjithsej me koncension për oligarkët klientë të tij plot 2.2 miliardë dollarë.
Ndërkohë që janë në rrugën e “dorovitjes” për oligarkët klientë të tij dhe Spitali i Fierit me vlerë 90 milion USD, rruga Thumanë- Vorë 340 milion USD dhe rruga Kashar-Rrogozhinë me vlerë 410 milion USD. Pra gjithsej janë në dhënie e sipër punë publike, me vlerë 840 milionë USD.
Teksa ka mbërritur shuma në total prej 3.05 miliardë dollarë të dhënë nga buxheti i shtetit për oligarkët klientë të tij, duke filluar nga Vilma Nushi, e vijuar me Rrok Gjokën, Ndue Kolën e përfunduar me Bashkim Ulajn, Klodian Zoton, Fushën e Salillarin, Rama ka vendosur të “zhdukë” KÇK-në.
Për hir të së vërtetë tani nuk ka mbetur asgjë për të grabitur nga buxheti i shtetit, i cili është bosh nga maskarada e kryeministrit dhe oligarkëve klientë të tij, dhe lufta e vërtetë duhet të jetë ajo mes drejtësisë së re dhe Ramës, i cili aplikoi “Kap ç’të Kapësh”. Pjesa tjetër është tallje./Pamfleti