Problemet me të cilët shqiptarët pëballen çdo ditë tashmë janë të paraqitura edhe në raporte. Të gjithë jemi të vetëdijshëm mbi largimin e madh të të rinjve, cilësinë e dobët të arsimit dhe papunësinë me të cilën përballen ata, por kur e sheh ‘e zeza mbi të bardhë’ gjithçka bëhet edhe më shqetësuese.
Shqipëria vazhdon të mbetet ndër vendet e para në Europë për papunësinë e të rinjve, vrasjen e vajzave dhe varfërinë studentore, thuhet në raportin e 2-të Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019” hartuar nga CRCA/ECPAT, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri me mbështetjen e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri.
Raporti tregon që rreth 73 % e të rinjve shqiptarë e shohin problemin e punësimit si më shqetësuesin për ta. Arsimi është një tjetër problem pasi 35% e tyre nuk janë të kënaqur me arsimin dhe kërkojnë të shkojnë studime jashtë. Niveli ekonomik i familjeve është po ashtu shqetësim dhe kjo bën që 79 përqind e tyre të shprehin dëshirën për të ikur nga vendi. Organizatat që hartuan raportin kanë për pushtetin qendror dhe atë lokal disa rekomandime për ndryshimin e situatës.
Raporti kërkon të informojë në mënyrë të posaçme politikë-bërësit, institucionet shtetërore dhe vetë të rinjtë mbi situatën e rinisë në Shqipëri, problemet e identifikuara si dhe të rekomandojë zgjidhje për institucionet përkatëse.
Rezultatet e raportit:
Sipas Anketës Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, 73% e të rinjve të intervistuar e kanë adresuar papunësinë si problemin e tyre më shqetësues.
“Ikja e trurit të të rinjve” e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë për dëshirën e të rinjve për të ikur dhe studiuar jashtë vendit. 35% e studentëve me një diplomë Bachelor dhe rreth 30% të studentëve në përgjithësi synojnë të studiojnë jashtë vendit, ndërsa niveli i gjendjes ekonomike të studentëve shqiptarë është sërish në përmasa alarmante, krahasuar me vendet e tjera. Largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79% sipas Gallup, duke e vendosur Shqipërinë në krye të listës së vendeve nga ku largohen të rinjtë.
Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë për vrasjet e vajzave dhe grave, ku situata e dhunës me bazë gjinore është më alarmante. Të dhënat e organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare tregojnë se 88.8% e grave dhe vajzave në Shqipëri janë të dhunuara nga të gjitha format e dhunës dhe 65% e tyre e kanë përjetuar dhunën në familje ose nga partneri. Nëse do t’i referohemi dy viteve të fundit numri i vajzave (grupmosha 15-29 vjeç) të vrara nga partnerët e tyre shkon në 7 vajza. Sidoqoftë, vlen për tu theksuar fakti pozitiv, se ka një rritje të ndjeshme të numrit të vajzave që janë ndërgjegjësuar dhe kanë marrë guximin të denoncojnë dhunën ndaj tyre pranë Policisë së Shtetit, dhe kjo shifër arrin në rreth 8000 raste që kanë marrë urdhër-mbrojtjeje në vit, duke u rritur me mbi 200 raste të reja, vajza që arrijnë të denoncojnë dhunën nga viti 2018 në vitin 2019.
Kushtet social-ekonomike në të cilat jetojnë të rinjtë në Shqipëri, kanë sjellë rritje të kriminalitetit rinor. Të dhënat e vitit 2018 tregojnë se 38% e dënimeve penale të formës së prerë janë dhënë ndaj të rinjve, situatë kjo që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Varfëria dhe papunësia tek të rinjtë shërbejnë si një terren që gjeneron ndër të tjera edhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin. Raporti i Komisionit Europian i vitit 2018 thekson se nga 144 shtetas shqiptarë që shkuan në Siri dhe Irak për luftuar në konfliktet e armatosura. 73 vetë (përfshirë 18 luftëtarë dhe 55 anëtarë të familjeve), mes tyre fëmijë, të rinj e të reja që gjenden ende në zonat e luftës. Ndërsa Raporti më i fundit i vitit 2019, sheh shqetësues rritjen në Shqipëri të radikalizmit fetar online.
Në nivel kombëtar, 62% e të rinjve nuk kanë besim te partitë politike shqiptare, ndërsa rreth 57% e tyre vlerësojnë me zero pikë punën e pushtetit vendor dhe sektorëve të rinisë. Rritja e mosbesimit ndaj politikës dhe konfliktualitetit që ushtroi ngërçi parlamentar e politik, krijuan terrenin e mos-ushtrimit të së drejtës së votës për të rinjtë. Në zgjedhjet e fundit vendore mbi 50% e të rinjve nuk kishin dëshirë të votonin.👍💌 @shtypnews_al🇦🇱
Shtypnews.al. 💋🇦🇱❤️
Shtypnews.al. 💋🇦🇱❤️
No comments:
Post a Comment