Mihail Shishkin (shkrimtar rus që jeton në Zvicër):
"Kjo luftë nuk filloi tash, po në vitin 2014. Bota perëndimore nuk donte ta kuptonte, por shtirej se nuk po ndodhte asgjë tmerruese. Gjithë këta vite u mundova, në paraqitjet dhe publikimet e mija, t’ua shpjegoj njerëzve se kush është Putini, por n
uk arrita. E qe, tash ai vet tregoi se kush është.
Unë jam rus. Putini përbindshëm po kryen krime në emër të kombit tim, të shtetit tim, dhe në emër tim personal. Putini nuk e pëfaqëson Rusinë. Rusia po ndjen dhembje dhe turp. Në emër të Rusisë sime dhe të kombit tim, kërkoj falje nga ukrainasit. Dhe e kam të qartë se ajo që po bëhet atje nuk mund të ketë të falur.
Pas çdo botimi të artikujve të mij në shtypin zviceran, në redaksi vinin, nga ambasada e Rusisë në Bern, letra plot pezëm. Tani ka heshtje. Ndoshta atje po i bëjnë gati valixhet ose po përpilojnë kërkesa për azil politik.
Un dëshiroj të kthehem në Rusi. Por në cilën Rusi? Kthimi në Rusi të Putinit nuk është i mundur, për shkak të kutërbimit tepër të fortë të çizmes policore. Do t’isha kthyer në vendin tim të cilin e pëshkrova në letrën time të hapur kur refuzova ta përfaqësoj Rusinë e Putinit nëpër panaire ndërkombëtarë të librit, qysh në vitin 2013, pra para aneksimit të Kërëmit dhe para fillimit të kësaj lufte kundër Ukrainës:
«Un dua, dhe do ta përfaqësoj një Rusi tjetër, një vend të çliruar nga njerëzit e vetshpallur, me strukturë shtetërore që e mbron, jo të drejtën për korrupt, po të drejtën e individit, në një vend me mjete të lirë të informimit të masave, zgjedhje të lira, njerëz të lirë».
Hapësira e të shprehurit të lirë në Rusi qysh me heret ishte cunguar gjer në suaza të internetit por tani atje vepron cenzura ushtarake. Qeveria njohton se çdo prononcim kritik që i drejtohet Rusisë dhe ushtrisë së saj do të konsiderohet tradhëti dhe do të gjykohet sipas ligjeve të gjendjes së luftës.
Ç’mund të bëjë shkrimtari? Vetëm atë që di ta bëjë: të flasë qartë. Heshtja paraqet përkrahje të agresorit. Në shekullin e XIX, kryengritësit polakë u ngritën kundër carizmit me parullën «për lirinë tonë dhe tuaj». E tash ukrainasit po i kundërvehen armatës së Putinit për liri tuaj dhe tonë. Ata s’po e mbrojnë vetëm dignitetin e tyre njerëzor, po të njerëzimit të tërë. Ukraina tani po na i mbron lirinë dhe dignitetin. Ne duhet t’i ndihmojmë aq sa të jetë e mundur.
Krimi i regjimit qëndron edhe në ate që hija e keqe po i bie tërë shtetit. Tash Rusia nuk i sjellë më ndërmend letërsinë e muzikën, po bombat që u hedhen fëmijve. Krimi i Putinit qëndron në helmimin e njerëzve me urrejtje. Putini do të zhduket por dhembja dhe urrejtja do të rëndojnë shpirtëra për një kohë shum të gjatë. Dhe vetëm arti, letërsia, e kultura mund të ndihmojnë që të përballohet kjo traumë. Jetës së poshtër e të pavlerë të diktatorit, heret ose vonë i vjen fundi, kurse kultura vazhdon — kështu ka qenë gjithmonë, dhe kështu do të jetë edhe pas Putinit. Letërsia s’e ka për detyrë të bëjë gjë me Putinin, letërsia s’e ka për detyrë ta shpjegojë luftën. Nuk është e mundur të shpjegohet lufta: përse i japin njerëzit urdhër një populli për ta vrarë tjetrin? Letërsia është ajo që i kundërvehet luftës. Letërsia e njëmendtë përherë e pasqyron nevojën e njeriut për dashuri, e jo për urrejtje.
Çka po na pret? Në rastin më të mirë, s’do të ketë luftë bërthamore. Shumë do të kisha dëshirë të besoja se nuk i lejojnë të çmendurit qasje të pullës së kuqe, ose që ndonjeri nga të nënshtruarit nuk ia plotëson këtë urdhër përfundimtar. Por kjo është, si duket, gjëja e vetme e mirë ndër ato që na presin. Federata Ruse, si shtet, pushon së ekzistuari në hartë, pas Putinit. Procesi i shpartallimit të perandorisë do të vazhdojë. Shembullin e pavarësimit të Qeqenisë do ta vijojnë edhe kombet e regjnonet tjerë. Do të fillojë lufta për pushtet. Popullit nuk do t’i pëlqejë jeta kaotike — prap do të paraqitet nevoja për grusht të fortë. Madje edhe pas zgjedhjeve të lira — edhe po të ketë të tilla — ndonjë diktator i ri do të vijë në fuqi. E Perëndimi do ta përkrahë, se ky do të premtojë se e mban pullën e kuqe nën kontroll. Dhe, s’i dihet, ndoshta e tëra kjo pastaj edhe përsëritet."
Përkthimi nga rusishtja▪️Florent Rizvanolli: lejohet përhapja, me kusht të rreptë që të mos ndryshohet as edhe një presje.
No comments:
Post a Comment