E drejta për të fituar shtetësinë shqiptare do t’u njihet edhe refugjatëve e personave në mbrojtje plotësuese.
Shtypnews.al
Kushti kryesor është qëndrimi në mënyrë të ligjshme dhe banimi në mënyrë të vazhdueshme në Republikën e Shqipërisë, për një periudhë prej jo më pak se 10 vite nga dita e komunikimit të statusit.
Ministria e Brendshme ka hartuar disa ndryshime në “ligjin për shtetësinë”, në të cilin përcaktohen parimet dhe rregullat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare.
Top Channel disponon projektligjin që do t’i kalojë për shqyrtim Parlamentit, në relacionin e të cilit theksohet se, kjo nismë vjen si rezultat i nevojës së zgjidhjeve të disa problematikave të hasura në praktikë.
Projektligji i propozuar ka zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë, duke parashikuar edhe fitimin e saj me origjinë.
Gjithashtu, risi është edhe forcimi i kritereve për dhënien e shtetësisë me natyralizim për të huajt, kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik të paraqitur në formën e një investimi, duke pasur qëllim filtrimin dhe verifikimin e burimeve financiare.
Ndryshimet e reja ligjore pritet të shoqërohen me ndikime sociale në dy aspekte:
“Regjistrimi i personave, të cilët kanë fituar shtetësinë shqiptare me dekret presidencial, por që nuk janë regjistruar në zyrat e Gjendjes Civile përkatëse, si dhe regjistrimi i personave që kanë mbushur moshën 18 vjeç, të lindur jashtë territorit shqiptar qoftë edhe me njërin prind më shtetësi shqiptare, do të sjellë rritje të numrit të popullsisë shqiptare. Por, nga ana tjetër, edhe fitimi i shtetësisë shqiptare për të huajt që kryejnë një investim në sektorë strategjikë me interes publik, sipas legjislacionit përkatës në fuqi shoqërohet me efekte ekonomike pozitive”, thuhet në relacionin e projektligjit.
/Top Channel/ & /Shtypnews.al/
No comments:
Post a Comment