Nga Sadiola Xhelili
Pas akuzës së Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, se policia ka ndaluar anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së, Ka reaguar Policia e Shtetit.
Kjo e fundit ka bërë me dije se veprimet e ndërmarra lidhen me punën hetimore të policisë që po kryhet për dokumentimin e shkatërrimit të pronës dhe akteve të dhunës të ndodhura gjatë protestës së sotme në selinë e PD-së.
Ndërkaq, policia ka sqaruar se janë marrë në pyetje vetëm deputetë të partisë kurse të tjerë që janë gjetur në ambjentet e godinës janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
“Sqarojmë opinionin publik se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në selinë e Partisë Demokratike janë pyetur vetëm deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa personat e tjerë që janë konstatuar brenda selisë janë shoqëruar në ambientet e Policisë se Shtetit, për t’u marrë në pyetje”, ka theksuar policia.
Ndërkaq, policia ka treguar se “do të vijojnë me profesionalizëm dhe vendosmëri veprimet ligjore, për të dokumentuar të gjitha veprimet e kundërligjshme gjatë protestës së sotme dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës”.
Njëkohësisht, Policia e Shtetit ka garantuar qytetarët se shërbimet e Policisë janë në terren dhe janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë.
/Albanianpost.com
No comments:
Post a Comment