Sulltan Nevruzi festohej si festa e ardhjes së pranverës dhe më vonë si ditëlindja e imam Aliut. Dervishi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Mikel Onjea, për gazetën “Shekulli” tregon se Kryegjyshata Botërore Bektashiane vizitohet nga shumë besimtarë dhe turistë të huaj, të cilët vijnë të organizuar në grupe nga e gjithë bota. Kryegjyshata mban lidhje me shumë teqe, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Teqeja më e madhe ndodhet në SHBA, e cila është një qendër patriotike dhe fetare, ku mblidhen bektashinjtë që jetojnë aty.
Çfarë domethënie ka festa e Sulltan Nevruzit?
Para islamit, këtë festë e kanë festuar persianët. Ata kanë pasur dy stinë, verën dhe dimrin. Në 22 mars ata festonin ardhjen e verës, e cila zgjaste deri në 22 shtator. Më vonë, në botën islame në 22 mars lindi imam Aliu, i cili është i vetmi fëmijë i lindur brenda në Qabe. Që prej asaj kohe Sulltan Nevruzi u festua nga tarikatet si ditëlindja e imam Aliut. Komuniteti bektashian ka rreth 800 vjet që e feston këtë festë në të njëjtën datë. Kjo festë simbolizon rigjallërimin e natyrës. Kafshët zgjohen nga gjumi dimëror, pemët çelin sythat dhe bimësia gjallërohet. Çdo gjë nis të marrë jetë dhe gjallëri. Emri “Nevruz” ka ardhur nga persishtja dhe domethënia e tij është “ditë e re”. Emri “Sulltan” është titulli më i lartë që mund të merret. Në Shqipëri kjo festë ka nisur të festohet rreth shekullit XIV, kur u përhap bektashizmi në Shqipëri.
Si festohet kjo festë?
Kjo festë zgjat tri ditë. Në 22 mars ka lindur imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. Besimtarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas luten dhe falen. Ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë. Në mëngjes, për besimtarët dhe të gjithë të pranishmit, shpërndahet qumësht dhe sherbet, që simbolizon pastrimin e trupit dhe shpirtit. Këto dy pije konsiderohen pije parajse. Gjithmonë në orën 10:00 bëhet ceremonia. Dalin klerikët përjashta, bashkë me besimtarët këndojnë në kor këngën e Sulltan Nevruzit. Më pas, jepen bekimet nga udhëheqësi shpirtëror për jetimët, të vobektit, për të gjithë ata që gjenden në vështirësi. Jepen bekime për ushtrinë shqiptare, Presidentin, mësuesit, intelektualët etj. Ceremonia e festës vazhdon me hyrjen në tyrbe, ku bëhen lutje.
Vizitohet Kryegjyshata Botërore Bektashiane nga shumë besimtarë?
Të gjitha Gjyshatat nëpër rrethe vizitohen nga shumë besimtarë, por kjo në Tiranë ka vëmendje të veçantë. Përveç besimtarëve kemi dhe turistë që vijnë vizitojnë Kryegjyshatën. Ne kemi lidhur marrëveshje me shtetin, si komunitet fetar që të presim turistë. Që kur është hapur Kryegjyshata kanë ardhur shumë turistë të huaj. Në të shumtën e herës kanë qenë të organizuar në grupe nga agjencitë turistike, por ka pasur nga ata që kanë ardhur edhe privatisht. Ka pasur edhe zyrtarë të lartë, të huaj që kur kanë vizituar shtetin tonë kanë ardhur edhe në Kryegjyshatë. Ne i ftojmë të gjitha ambasadat dhe trupat diplomatike, sa herë që kemi festa fetare. Një teqe shumë e madhe është ajo në Miçigan, në SHBA, ku mblidhen grupet e bektashinjve. Ajo është një qendër patriotike dhe fetare. Në derën e asaj teqeje shkruhet: Komb, Fe, Atdhe. Ka një hartë të Shqipërisë së madhe dhe një shqiponjë me dy krerë.
Shtypnews.al