Nga - Erl Kodra/ Përbindëshat
Çka jemi dhe pse po zhytemi çdo ditë e më shumë në vorbullën e zezë të imoralitetit njerëzor, ku veset e përziera me instinkte dominojnë, ndërsa po shkojmë triumfalisht drejt degradimit?
Çfarë e ktheu një pjesë të shoqërisë në hajdut dhe mashtrues, në trafikant dhe mafioz? Cila është ajo substancë që i tjetërsoi shqiptarët në vrasës të pashpirtë, të paaftë të ndjejnë ndonjë drithërimë ndërgjegjeje, ndërsa marrin jetën e shoshoqit?
Labirinthet e një shoqërie me nivel të ulët zhvillimi nuk përmbajnë shpjegime të arsyeshme sipas përvojave të moralit njerëzor, ato përkthehen lehtë në nevoja parësore të ekzistencës fizike, që nuk ndjejnë keqardhje humane kur krimi kthehet në mënyrë jetese. Shqiptarët nuk kanë patur mundësi që të sigurojnë jetesën me mjete normale, njësoj si shoqëritë e tjera; ata kanë lindur në varfëri ekstreme dhe janë rritur si të tillë. Në kohën e maturimit, pikërisht atëherë kur synon të përmbushësh vetveten dhe qëllimin, kur gjendesh para murit të pamundësisë absolute, gjithkush do kërkojë t'i mbijetojë sfidave të ekzistencës. Këtu duhet kërkuar çelësi që shpjegon në mënyrë të arsyeshme shkaqet e degradimit tonë të thellë.
Ky arsyetim të kthen tek përgjegjshmëria e politikës, si shprehja e vullnetit të një shoqërie për t'u qeverisur. Por çfarë tjetër është politika, përpos përzgjedhjes nëpërmjet një sistemi të gjithpranuar të atyre individëve, që me gjasë kanë ide dhe programe të mira, moral të lartë dhe vullnet për të ushtruar me ndershmëri qeverisjen? A është i njëmendtë ky përcaktim, domethënë, çfarë janë individët që gjenden në krye të punëve, të ngarkuar për të qeverisur me rregulla të qarta procedure, mënyrën tonë të jetesës?
Pyetje të tilla të dekurarojnë dëshirën të vazhdosh më tej me sfidën e mendimit. Sepse, parimisht ne kemi rënë dakort të jetojmë në Shqipëri, e kemi pranuar idenë të kemi një shtet shqiptar, një Kushtetutë dhe një Parlament, ndërsa Qeveria të zgjidhet njëherë në katër vjet, me votë të fshehtë, të lirë dhe të ndershme. Të gjitha këto dakortësi janë thellësisht parimore dhe të gjithpranuara nga të gjithë shqiptarët.
Por përpara se të shohim se çfarë ndodhë realisht me politikën, është e nevojshme të shohim alkiminë e moralit shoqëror; domethënë, të moralit atyre individëve që përkufizojnë, ose që mëtojnë të përkufizojnë rregullat e procedurave sipas të cilave ndahet e mira nga e keqja.
Awdhesh Singh, një shkrimtar bashkëkohorë indian, në librin e tij "Mitet janë reale, realiteti është mit", thotë:
"Ndërsa burrat e mençur krijojnë ide të ndryshme për një shoqëri ideale, të njëjtat ide degjenerojnë kur njerëzit e "zgjuar" mësojnë se si t'i manipulojnë ato".
Ne shqiptarët vertetë kemi rënë dakort të kemi një Kushtetutë, një Parlament dhe një Qeveri; kemi rënë dakort të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, një Prokurori të pavarur, institucione të pavarura që mbrojnë sigurinë publike, ekonomi të lirë tregu dhe një Buxhet Shteti nëpërmjet të cilit përfiton e gjithë shoqëria.
Përgjithësisht ne shqiptarët kemi ligje shumë të mira.
Përfundimisht, korpusi ligjor i Republikës së Shqipërisë mund të përkufizohet si një IDE shumë e mirë shtetformuese, por që fatkeqësisht, këto ide kanë degjeneruar, ekzaktësisht siç thotë Awdhesh Singh; nga njerëzit "e zgjuar".
Aty ku ndahet e mira nga e keqja ndodhet një zonë gri, që mbulon pjesën më të madhe të shoqërisë. Pamja është pak a shumë e tillë; në njërin krah është e keqja e tmerrshme, në mes zona gri dhe në anën tjetër e mira. Nuk është e lehtë të shpjegosh me fjalë një fotografi si kjo, ku e keqja dukshëm dominon mbi të mirën, ndërsa zona gri noton në një lloj indiference cinike, herë herë duke u përzier me pjesën e zezë, por asnjëherë duke mos dalë në anë të së mirës.
Arsyetimi në fakt është më i thjeshtë nga ç'duket, sepse e keqja, domethënë, duke përfshirë hajdutët dhe mashtruesit publik, mafiozët dhe kriminelët kanë pushtuar qeverisjen e vendit. Në këto rrethana të pazakonta për një shoqëri njerëzore, është pothuaj e pamundur të zbatohen rregullat e procedurës, domemthënë Kushtetuta dhe Ligjet. Përbindëshat nuk ndjejnë keqardhje kur gllabërojnë, ata thjesht marrin gjithçka u del përpara.
Shtresat e së keqes kanë zënë njëra tjetrën palë-palë, për të krijuar një mjedis të pashpresë, toksik dhe të pamundur për njerëzit normal, i padeportueshëm me mjete të zakonshme. Ne shesim çdo gjë, përfshirë edhe gjërat më të thjeshta në botë. Gjithçka shkëmbehet, shitet, blihet, jepet me fajde, merret peng, hipotekohet, trafikohet për t'u rihedhur në një treg gjigand pa asnjë fije morali. Me gjasë, ndonjë ditë mund kemi Tregtarët e Ajrit që do të shesin frymën tonë.
Do jetë biznes i fortë, me siguri!
***
Në vend të mbylljes
Në një analizë elementare për numrin e personave në kërkim ndërkombëtar nga Interpol (Red Notices) del se Shqipëria zë vendin e parë në botë në raport me numrin e popullsisë, madje ia kalojmë edhe Kinës! Të dhënat e mëposhtme janë të frikshme, ato janë turpi ynë kombëtar.
Interpol
Numri total i personave në kërkim (Red Notices) 7052
USA 138
UK 15
Gjermani 15
Itali 10
Greqi 15
Franë 28
Serbi 25
Shqipëri 115
Kina 68
Unë do t'u kursej nga komentet e mia mbi këto shifra.
/Shtypnews.al /