– Zonja Luiza, ju njihni rreth shtatë gjuhë, që do të thotë se njihni gjithaq autorët e shumë vendeve dhe popujve. Sa ndihmojnë gjuhët në njohjen më të thellë të letërsisë?
Unë flas rrjedhshëm anglisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, maqedonisht dhe kroatisht, por kuptoj mirë edhe të tjera gjuhë. Mendoj që gjuhët sigurisht ndihmojnë shumë, sepse të japin mundësinë e artë të shijosh poezinë apo prozën në origjinal siç është shkruar (dhe menduar) nga autori, të paprekur apo ndryshuar sadopak nga procesi i përkthimit në gjuhë të huaj.
– Cilët autorë i preferoni më shumë?
Autorët klasikë, qofshin anglezë, francezë, amerikanë, italianë apo rusë: Shakespeare; Cervantes; Tolstoj; Ernest Hemingëay; Lion Feuchtëanger; Mark Tëain; Charles Dickens; Ëilliam Thackeray; John Galsëorthy; Stefan Zëeig; Thomas Mann, Heinrich Böll; Luigi Pirandello, Leonardo Sciascia, Susanna Tamaro; Erich Maria Remark; Victor Hugo, Balzac, Jean Jeacques Rouseau; Molière; Charles Baudelaire, Jacques Prèvert, Diderot; Puschkin, Lermontov, Esenin, Robert Burns.
– Cilat janë veçoritë e këtyre autorëve?
Për shembull Viktor Hygo, më pëlqen veçanërisht, sepse përmes përshkrimit me dritëhijet e veta të personazheve, arrin të shpërfaqë njëkohësisht edhe portretin shtjellues psikologjik të tyre, si dhe të shoqërisë frënge në kontekstin e kohës për të cilën shkruan. Rasti i Heminguej, i cili me një stil fort të tijin burimor, me fjali të ngjeshura e kuptimplota, ia del që praktikisht me dy-tre fjalë të thotë diçka komplekse që tjetërkujt do t’i nevojiteshin fjali e faqe të tëra për ta shprehur. Diçka që e hasim mrekullisht te libri Plaku dhe Deti. Tolstoj nga ana e tij, shquhet për përshkrimin njëherësh brenda një skene gjigante ku përfshihen me qindra personazhe (romani Lufta dhe Paqja), ngjarje, drama, të ndërthurura njëra me tjetrën, ku autori arrin ta japë këtë tablo kaq madhështore, me një pasqyrim aq të përkryer saqë lexuesit i duket se gjendet i mishëruar edhe vetë brenda kësaj atmosfere.
– Letërsinë shqiptare, sa e vlerësoni?
Letërsinë shqiptare e vlerësoj njëlloj sa ç’vlerësoj edhe gjuhën shqipe. Pa njërën, nuk mund të ekzistojë tjetra dhe anasjelltas. Domethënë skajshmërisht shumë. Mendoj që letërsia shqipe gjen majën te vepra e pavdekshme e Naim Frashërit dhe në veçanti gjuha e sotme letrare shqipe, i detyrohet pafundësisht këtij poeti tonë kombëtar. Vepra e Naim Frashërit, është për shqiptarët dhe gjuhën tonë, e barabartë me ndikimin vendimtar të Dante Alighieri-t për gjuhën, letërsinë dhe kulturën italiane, e njëjtë me ndikimin e veprës së Cervantes në gjuhën, kulturën dhe letrat hispanike, apo me trashëgiminë e veprës së Shakespeare në letrat dhe kulturën anglofone kudo në botë. Gjuha shqipe letrare, është një pasqyrim besnik i veprës së Naim Frashërit, dhe për këtë nevojitet të jemi krenarë si popull. Ndërkaq, ushqej respekt të theksuar për të gjithë Rilindasit vizionarë që mundësuan zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare në prag të Pavarësisë së vitit 1912, por kam një pasion të fortë gjithashtu për veprën e Migjenit, poetit kryeneç e revolucionar që u përball drejtpërdrejt me mjerimin dhe iu kundërvu mjeshtërisht padrejtësive sociale të kohës së tij. Në ditët e sotme, është padyshim Kadare me veprën e tij të njohur botërisht, por edhe i ndjeri Dritëro Agolli me tërë veprën e tij letrare, me poezitë në veçanti, lirikat e paharruara, por edhe karakterin e tij të spikatur si njeri i thjeshtë, i gjindshëm për këdo, që asnjëherë nuk harroi se nga vinte dhe përherë mbeti mirëfilltas Bir i Popullit që nuk i druhej pohimit të së vërtetës pavarësisht gjithçkaje.
– Jetoni kryesisht në Danimarkë! Cila është kultura e librit në përgjithësi, në Skandinavi?
Kultura e librit në Skandinavi e Danimarkë është e tillë që librin e sheh si pasuri të gjithë njerëzve, moshave dhe shtresave shoqërore. Janë vende ku lexojnë të tërë, ku nuk i sheh të rinjtë ta shtyjnë kohën nëpër kafene, por në parqe, tren, tramvaj, anije, avion, veç duke lexuar. Është atdheu i Andersenit, Danimarka, por edhe Kopenhageni është qyteti ku është shfaqur për herë të parë drama Shtëpia e Kukullave e Henrik Ibsenit, që vetë ishte norvegjez , është po ashtu vendi ku Shakespeare ngjizi ngjarjet e Hamletit, që zhvillohen në kështjellën hijerëndë të Helsingorit buzë brigjeve suedeze, etj. Kështu që letërsinë e kanë në gjak dhe ajo përthithet në çdo kënd, sepse skandinavët e kanë ushqim shpirtëror.
– Çfarë mendoni për gjuhën e përdorur sot në letërsinë shqipe?
Më shumë se gjuhën e përdorur në letërsinë shqipe, që është kryesisht një problem që ka të bëjë me mungesën e redaktorëve apo redaktimit në përgjithësi, sepse përndryshe nuk do të kishte probleme në këtë kontekst, gjendja e vërtetë e gjuhës së sotme shqipe, shikohet në të tjera mjedise, dhe është mjaft shqetësuese. Veçanërisht gjuha e përditshme, gjuha që përdoret në televizion apo media, gëlon nga gabimet gjuhësore, nga një fjalor tepër i varfër që nuk e kalon fondin e kufizuar prej 300-400 fjalësh (ndërkohë që Fjalori i Gjuhës Shqipe, me siguri përbëhet nga më tepër se 80 mijë fjalë, minimalisht) dhe që sakaq ka një mungesë tërësore vëmendje ndaj gjuhës, së shkruar dhe të folur. Është një gjendje e vështirë, e dhimbshme, por akoma e shërueshme, nëse do të ndërhyhet në kohë. Sidomos të rinjtë, nuk merren thuajse aspak me librin, dhe Smart Phone është triumfues i plotë ndaj letërsisë, duke sjellë një varfërim të mëtejshëm të fjalorit të brezit të ri, por edhe të intelektit të tyre, si dhe botës së tyre shpirtërore që bjerret vazhdimisht.
– Keni traditë familjare njohjen e gjuhëve të huaja dhe të përkthimit në përgjithësi. Përkthyese kishit nënën dhe tani keni djalin tuaj, Elvi Sidheri, që është shumë i njohur në botën shqiptare. Sa ndikon ambienti familjar në këtë formim gjuhësor?
Ambienti familjar është vendimtar në formim në përgjithësi, e sigurisht edhe në formimin gjuhësor, letrar e kulturor. Një fëmijë që rritet në një shtëpi me shumë libra, ku shikon prindërit e tij që lexojnë, qysh i vogël bëhet kureshtar dhe grishet nga libri. Është një pasuri që ai e ka në shtëpi dhe nuk ka përse të mos e shfrytëzojë. Prirja për gjuhët, ose letërsinë, mund të jetë e bashkëlindur te dikush, por ajo mbetet e ndryrë nëse nuk kultivohet, ndaj ambienti familjar, ndikon shumë, padyshim. Një fëmijë që rritet në familje muzikantësh, ka shumë prirje që këtë rrugë të ndjekë edhe vetë në jetë. Një fëmijë i rritur në familje mjekësh, ndoshta një ditë do të bëhet i tillë edhe vetë. Njëlloj ndodh edhe në familje ku gjuhët e huaja janë njohur dhe lëvruar brez pas brezi, si familja ime.
– Jeni mjeke pediatre dhe psikologe. Cilat janë pikat e përbashkëta të letërsisë dhe psikologjisë?
Autorë të mëdhenj si Zëeig dhe Çehov, Tolstoj dhe Hygo, kanë lëvruar pikërisht analizën psikologjike të personazheve të tyre.
Psikologjia studion njeriun dhe botën e tij të brendshme, por sakaq mjekësia në përgjithësi dhe psikologjika në veçanti, shpirtin njerëzor e kanë objekt pune. E nëse letërsia e bukur shërben si ushqim i mirë shpirtëror për njeriun, kur është e nevojshme, edhe një mendim i vyer i psikologut, shërben gjithashtu për mirëqenien e njeriut, që ta ndihmojë për të kapërcyer momentin e vështirë jetësor me të cilin përballet.
– Diçka për fund të kësaj bisede?
Meqë ishim duke folur për përkthimin dhe gjuhët e huaja, unë do të doja t’i bëja një homazh dy kolosëve të përkthimit shqip, Robert Shvarc, që ka shqipëruar mahnitshëm me një shqipe të paarritshme, të gjitha veprat e autorëve me të cilët jemi rritur, duke i sjellë në shqip thuajse po aq bukur sa në origjinal. Edhe Jusuf Vrioni, i cili ka meritën sublime të përçimit të fjalëve dhe narracionit të Kadaresë, në mënyrën më të fuqishme, të plotë e të hijshme dhe elegante për lexuesin francez.
Intervistoi Vera Pelaj, gazetare në RTK