Ilirian Agolli
Në Shqipëri ka nisur sot procesi i votimit për kryetarët e rinj të 61 bashkive të vendit dhe këshillat e rinjë bashkiak. Zgjedhjet vendore të radhës, mbahen në një situatë të pazakontë, me opozitën e cila ka vendosur të mos marrë pjesë, ndërkohë që vendimet e presidentit Ilir Meta fillimisht duke anulluar datën e zgjedhjeve dhe më pas duke dekretuar një datë të re, shkaktuan jo pak polemika. Opozita e cila kishte deklaruar se nuk do të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve, ditët e fundit po i bën thirrje qytetarëve që të mos marrin pjesë në një proces farsë sipas saj. Mbrëmë vonë, kryetari demokrat Lulzim Basha i bëri thirrje qytetarëve jo vetëm që të bojkotojnë procesin, por dhe të mblidhen “në protesta në rrugë dhe në sheshe, në mënyrë paqësore”.
Zgjedhjet e sotme organizohen në sfondin e një situata politike tejet të tensionuar. Opozita e cila në muajin shkurt doli nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të saj, vendosi më pas dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore, duke e kthyer 30 qershorin në gati në një simbol të betejës së saj politike, për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Shumica e cila mbajti një pozicion të prerë që në fillim, duke deklaruar se nuk pranonte të negocionte mbi datën e zgjedhjeve, i qëndroi kësaj linje dhe pasi Presideti Ilir Meta anulloi 30 qershorin, ndërsa pak ditë më parë, caktoi dhe një datë të re, 13 tetor, si “data e vetme kushtetuese dhe ligjore e zgjedhjeve vendore”, siç u shpreh ai. Përfaqësuesit socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk e morën në konsideratë dekretin e kreut të Shtetit për anullimin e datës, dhe vijuan me përgatitjet, ndërkohë që Kolegji Zgjedhor i dha më pas të drejtë, për vendimin e marrë.
Protestat shpesh të dhunshme të opozitës, shtuan frikën e trazirave ndërsa drejtuesit e saj këmbëngulnin se nuk do të lejonin me çdo cmim mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Në një situatë ku tensioni sa vinte e rritej, komunitetit ndërkombëtar ndërhyri me deklarata të njëpasnjëshme. Vetëm në vigjilje të zgjedhjeve, në kor, Shtetet e Bashkuara, Delegaconi i Bashkimit europian, OSBE-ja por ambasadat e vendeve të rëndësishme europiane, ishin në një linjë ndërsa dënonin aktet e dhunës, dhe kërkonin që të garantohet një proces i qetë zgjedhor, ku të respektohet e drejta e gjithkujt për të votuar.
Ditët e fundit, drejtuesit e opozitës i mëshuan thirjeve drejtuar qytetarëve që të mos marrin pjesë në një proces zgjedhor sipas tyre farsë. Mbrëmë vonë, kryetari demokrat Lulzim Basha, në mesazhin e tij për qytetarët theksoi: “Ngrijeni zërin nesër në protesta në rrugë dhe në sheshe! Sfidojeni regjimin kudo! Në mënyrë paqësore! Nesër është dita për të treguar vullnet me bashkim, me qëndresë dinjitoze, me vendosmëri dhe jo dhunë!”.
Zoti Basha foli për një proces antiligjor dhe antikushtetues, ndërsa shpjegoi dhe pozicionin e zgjedhur nga opozita. “Unë e di që shumë prej jush kanë dashur dhe kanë pritur që nesër të mos kishte as votime farsë, të mos kishte asgjë. Por e vetmja mënyrë për ta arritur këtë, o të ishte mënyra e dhunshme, e cila do të shkaktonte vëllavrasje dhe humbje njerëzore e plagë shoqërore. Dhuna nuk do të prodhonte as përfitime politike. Ajo thjesht do të sillte një ndjenjë të rremë të triumfit të çastit dhe do të linte plagë të hapura e probleme të pazgjidhura. Unë dhe demokratët nuk besojmë tek rruga e dhunës!”, theksoi kryetari demokrat.
Të gjendur të vetëm dhe pa asnjë kundërshtar në thuajse gjysmën e bashkive, socialistët zhvilluan praktikisht më shumë një fushatë politike. Të paktën fjalimet e kryeministrit Edi Rama në takimet në mbarë vendin u zotëruan nga retorika kundër opozitës, sesa nga premtimet për vitet e ardhshme.
Tensionet megjithatë nuk kanë munguar dhe në orët e fundit. Në bashkitë e drejtuara nga përfaqësuesit e djathtë, vijuan problemet e lindura për shkak të pengimit të përdorimit të institucioneve lokale nga administrata zgjedhore. Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve edhe mbrëmë ka marrë vendime duke ndryshuar vendndodhjet e disa Komisioneve zonale apo qendrave të votimit.
Procesi i votimit do tëmbikqyret nga një mision ndërkombëtar vëzhguesish i udhëhequr nga ODIHR-i. Mbi 30 vëzhguesve afatgjatë, i janë bashkuar dhe 150 të tjerë të cilët do të ndjekin nga afër procesin e votimit dhe procedurat e numërimit.
Janë mbi 3.5 milion shqiptarë të cilët figurojnë në listat e zgjedhësve. Në të gjithë vendin janë 5417 qendra votimi. Komizioni Qendror I Zgjedhjeve njoftoi mbrëmë se materialet zgjedhore janë shpërndarë në të gjithë vendin, me përjashtim të Shkodrës, ku një numr I konsiderueshëm qendrash votimi ishin të bllokuara për shkak të vendimit të Bashkisë për të mos lejuar përdorimin e shkollave apo mjedisve të tjera publike për një proces zgjedhor të paligjshëm sipas tyre.