S/N

My photo
Vlersimet dhe falenderimet tona per ju qe na ndiqeni nuk mungojn kurre! https://www.facebook.com/MediaLaim/

Wednesday, January 29, 2020

Kina hap spitalin e ri për koronavirusin pas vetëm 48 orë punë

Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati
Kina ka hapur spitalin e parë dedikuar koronavirusit në një qytet afër Wuhan. Punëtorë dhe vullnetarë kaluan vetëm dy ditë për ta kthyer ndërtesën boshe në një spital emergjence me 1000 shtretër.
Grupi i parë i pacientëve me koronavirus u transferuan në spitalin tashmë të quajtur Qendra Mjekësore Rajonale e Malit Dabie, në Huanggang, rreth orës 10:30 të darkës të martën.
Kapacitetet shtesë do të jenë thelbësore për stafin e mbingarkuar në Hubei, provincën e bllokuar që është në qendër të krizës.
Një tjetër spital po ndërtohet nga fillimi në Wuhan, 75 kilometra larg, dhe pritet të kompletohet më vonë këtë javë, pas vetëm një jave punë.
Më shumë se 6000 persona në të gjithë botën janë konfirmuar si të infektuar me koronavirus dhe 132 persona kanë vdekur në Kinë.
Emiratet e Bashkuara Arabe është nga të fundit vende që ka deklaruar raste të prekura me koronavirus (nga një familje që po udhëtonte nga Kina), dhe Gjermania ka diagnostikuar katër persona të infektuar.

Ka humbur në Tetovë ky fëmijë 4 vjeçar, shpërndane të gjendet


Është humbur një fëmijë në Tetovë, 4 vjeçar me emrin FITIM.
Luten prindërit ose personat qe e njohin të kontaktojnë në nr telefoni 071332332.

Monday, January 27, 2020

Sot ditëlindja e Kadaresë EDHE NJËQIND, MJESHTËR!

Sot ditëlindja e Kadaresë
EDHE NJËQIND, MJESHTËR! 

Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë!
Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë.
Im atë ishte i gjatë, i drejtë, fliste pak dhe, përgjithësisht, rrinte i zymtë. Vjen i ftohtë, i thoshin gjyshes shoqet për të, dhe me bisht të syrit vështronin nga unë, thua se donin të kuptonin a do t’i ngjaja. Kishte punuar disa vjet në Afrikën Veriore dhe ishte ndoshta kjo arsyeja që më kishte thënë disa herë se viset më të bukura në botë duhej të ishin vendet skandinave. Nuk kishte qenë kurrë atje, por i lodhur, siç duket, nga zhegu i shkretëtirës, nuk ëndërronte veç vise të ftohta. Kishte qenë, ndoshta, kjo arsyeja që pas kthimit nga Afrika kishte pranuar të punonte vite me radhë si ftues gjyqi në Alpet e Shqipërisë Veriore.
Gjyshin nuk e mbante mend askush në Gjirokastër. Kishte vdekur fare i ri, njëzet e pesë ose njëzet e tetë vjeç, fill pas martesës dhe pas mbarimit të studimeve të larta në Stamboll. Atje dhe u varros, pa u kthyer dot në qytetin e lindjes. Në shtëpinë tonë flitej përherë për një kësoll të madh në Stamboll, kësollin e gjyshit, dhe qysh herët në ndërgjegjen time fjala “Stamboll” shoqërohej gjithmo-në nga një ceremoni funebre.
Ndryshe nga gjyshi, që i ngjasonte një fantazme, stërgjyshi kishte qenë për mua më i prekshëm. Kur në moshën dymbëdhjetëvjeçare botova vjershat e para, nisa të dëgjoj përherë e më shpesh komentet e shoqeve të gjyshes: do të bëhet i dëgjuar si Ismail Kadareja. Kështu quhej stërgjyshi im, i cili paskësh qenë i dëgjuar në Gjirokastër për... kalcunjat (lloj çorapesh) e bukura që mbante. Me fjalë të tjera, për ndjekjen e modës. Paskëshin qenë kaq të bukura kalcunjat e tij, saqë në një këngë të njohur gjirokastrite, ku këngëtari rendiste gjërat që mund ta bënin të lumtur një njeri, krahas “sarajeve të vezirit”, “kopshtit të Çelo Kailit”, “nuseve të Dane Bakirit” dhe “zërit të bilbilit”, ishin dhe “kalcunjat e Ismailit”.
Kështu që më pëlqente ose jo, ideja e famës iu shfaq së pari ndërgjegjes sime në formë çorapesh të bukura. Në vitet studenteske, sidomos në ato të Moskës, kur pasioni për letërsinë m’u zbeh ca kohë, për shkak të ndjekjes së modës, disa herë më janë kujtuar, bashkë me fjalët: “ka për t’u bërë i dëgjuar si Ismail Kadareja”, kalcunjat e stërgjyshit. Me sa dukej, fama u mëdysh në fisin tonë midis sqimës në të veshur dhe letrave, dhe turbullira ime moskovite s’qe veç një shenjë e fundit që më dërgonte im stërgjysh për të më mbushur mendjen se lavdia më e sigurt ishte ajo e tij.
Në “Kronikë në gur” e kam përshkruar hollësisht shtëpinë e lindjes ose, më saktë, pjesën e saj veriore ku ne banonim. Hynte në ato lloj shtëpish të Gjirokastrës që, ashtu si njeriu, që një pjesë të trupit e ka të gjymtë, edhe ato, një pjesë e kishin të rrëzuar. Kjo ishte ana jugore e saj. Kështu e mbaja mend gjithmonë: ca mure mbi një urë që shërbente si kalim për në lagjen e të krishterëve, pastaj vinte një pjesë e braktisur, ngaqë s’qe e sigurt për të jetuar, pastaj pjesa ku banonte një tjetër Kadare dhe, së fundi, ana jonë.
Kur isha i vogël më dukej e natyrshme që shtëpitë të nisnin kështu: nga ca mbeturina muresh, me ca shkurre mbi to, me fjalë të tjera, nga hiçi. Pastaj dalëngadalë muret ngrinin kokën, gjithçka mblidhej e tendosej gjer te pjesa e braktisur, por që ende ishte e frikshme. Më tutje niste shtëpia e vërtetë, që sa vinte forcohej e përkryhej, gjersa mbërrinte në skajin tonë verior. Isha i bindur se ajo qe pjesa më e përsosur e krejt ngrehinës, jo vetëm se ishte më larg rrezikut, dhe jo aq për dhomat plot dritë të katit të tretë, sesa për pjesën nëntokësore të saj. Ajo ishte, në të vërtetë, krenaria ime, tmerri dhe gëzimi im.
Përbëhej nga dy kubé që lidheshin me njëra-tjetrën, e madhja dhe e vogla, por që në ndërgjegjen time shtresoheshin si “zonja e madhe” dhe “zonja e vogël”. Por kurora e pjesës nëntokësore ishte sterna e madhe e ujit: Hadesi i shtëpisë sonë.
Kur kam thënë andej-këndej se dy kubetë dhe sidomos sterna e ujit, më shumë ndoshta se biblioteka e qytetit, më kanë pjellë mua si shkrimtar, kjo, edhe duke mos qenë krejt e saktë, ka një të vërtetë të madhe.
Që nga humbella ku ishte, sterna e trazonte përfytyrimin tim më fort se gjërat e dukshme. Kjo vinte ndoshta ngaqë ajo, ndonëse e zhytur në nëntokë, jepte e merrte me qiellin më shumë se gjithçka tjetër. Ajo mbushej nga shiu, pra nga qielli, kështu që qysh herët ajo i dha trurit tim një përmasë trizonëshe të botës: qiellin, nëntokën dhe ndërprerjen e herëpashershme midis tyre. Kjo ndërprerje ndodhte te qyngji bashkues, të cilin, në raste shirash të mëdha, babai e shkëpuste, për të shmangur mbimbushjen e sternës.
Soditja e ujit mbi çatinë e çmendur e të pjerrët përpara se të mbyllej në atë burg, dëgjimi i zhurmës së tij, vetëtimat që e braktisnin, në prag të fatkeqësisë, shfytyrimi i tij atje thellë, gjëmimi i mbytur, përpjekja për të shpërthyer sternën, së fundi, dalja si prej burgut, por i skllavëruar tashmë, i vënë në kova për të larë në mënyrë të turpshme dyshemetë dhe enët, të gjitha këto jepnin në mendjen time në një pikëshikim, si të thuash ujor (çka pritej prej një të linduri nën shenjën e Akuariumit), një pjesë të dramës së njerëzimit.
Nganjëherë, kur me anë të një pasqyre të vogël i dërgoja pakëz dritë, për të zbuluar diçka nga misteri i saj, s’bëja gjë tjetër veç:
I jepja qiell, merrja prej saj skëterrë.
Por ndoshta më shumë se ajo për qiellin tim, isha unë që kisha nevojë për ferrin e saj.
Ndonëse kur isha i vogël rrënimi në pjesën jugore të shtëpisë më dukej aq larg, me kalimin e viteve, ai iu afrua pjesës sonë.
Tani shtëpia është ende në këmbë, por e dëmtuar. Duke qenë qytet-muze, me dhjetëra janë ngrehinat që riparohen çdo vit. Ato janë banesa karakteristike ose shtëpi ku kanë banuar njerëz të shquar të qytetit: dijetarë, dëshmorë ose funksionarë të rëndësishëm në shërbim të shtetit. Për të penguar rrënimin, në kërkim të një përligjjeje, kam menduar të përdor emrin e emnakut tim të largët, stërgjyshit. E kam ende në shtëpi një kërkesë për Komitetin Ekzekutiv të Qytetit, ku shkruaj se “meqenëse stërgjyshi im, Ismail Kadare, është i përmendur në baladat popullore si një njeri që vishej me shije sipas traditës, duke dëshmuar kështu kulturën e lashtë të kombit tonë, autoktoninë e shqiptarëve si pasardhës të ilirëve etj., etj., ndoshta shihet e arsyeshme prej jush që shtëpia e Kadarenjve, një nga më të vjetrat e qytetit, të hyjë në numrin e ngrehinave që mirëmbahen nga shteti”.
Nuk e dërgova kërkesën, jo se doja të shmangia një konkurrim të ri midis meje dhe sqimatarit, stërgjyshit tim, konkurrim për të cilin isha i sigurt se ai do ta fitonte, por ngaqë më dukej se kujtimi i tij do të fyhej, kur të çmohej prej burokratësh që s’dinin, veç të tjerash, as të visheshin.
Me idenë e vdekjes njeriu njihej herët në Gjirokastër, për shkak të zive të gjata që mbaheshin. Pothuajse çdo shtëpi kishte orën e vajit, kur kujtoheshin të ikurit.
Ngjyra e zezë dhe lulet e kanë shoqëruar këtë ide në mendjen time qysh në kohën që kuptova se njerëzit në këtë botë ishin të përkohshëm. Por lulet, ndonëse qenë të rralla në këtë qytet, qenë zotëruese kur flitej për vdekjen. Kjo vinte, me sa dukej, ngaqë varreza e qytetit thirrej “Vasilikua”, për shkak të borzilokut. Eh, siç duket, jam nisur për Vasilikua, thoshin plakat midis dy psherëti-mave. Kur të vete në Vasilikua. Mos u mërzit, se do vete në Vasili-kua. Do të shihemi në Vasilikua. Ishin fraza aq të zakonshme në jetën e përditshme, saqë, në fëmininë e hershme unë kujtoja se një pjesë e njerëzve shkonin vetë atje, me këmbët e tyre dhe pastaj se si ndodhte që mbeteshin midis luleve e s’ktheheshin më. Më pas kuptova se, ndonëse ashtu thoshin, askush nuk shkonte me këmbët e veta, por i çonin të tjerët.
Nganjëherë, në arkivol u vinin edhe dylbitë, dhe mua më dukej se që nga varret ata vështronin tani me dylbi qytetin, ashtu si të gjallët vështronin varrezën. Nganjëherë, kur në hapësirë kishte farfurima drite, më dukej se ato përthyerje s’ishin veç kryqëzimet e vështrimeve të të dyja palëve.
Kur isha katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjeç, më dukej mosha mbi njëzet vjeç tepër e mërzitshme. Vetë fjala “njëzet” më ngjante se ishte ngjizur me mërzi dhe fillim pleqërie.
Kur isha njëzet e dy-njëzet e katër vjeç, ndonëse shqyhesha gazit me marrëzinë e parë, isha i bindur se, sidoqoftë, koha më e mirë për një shkrimtar për të vdekur ishte aty nga tridhjetë e një-tridhjetë e dy vjeç. Kur e mbërrita këtë kohë, ideja ime për moshën pësoi një trandje njëherë e përgjithmonë.
Ishte pak a shumë në atë kohë që e ndjeva së pari se shkrimtari ka dy jetë krijuese, një të gjatë e monotone e një tjetër të shkurtër si shkreptima. Që shkrimtari është, gjithashtu, dymoshës (mosha fizike e tij dhe mosha e famës ose, së paku, e kujtimit të tij, qoftë edhe me një famë gjysmë të shuar), këtë e dija qyshkur. Ajo që zbulova ishte tjetër gjë dhe pikërisht që kjo dymoshësi ose, më saktë, mosha e tij e dytë, ajo e madhja, është dhe një nga shkaqet e keqkuptimeve midis shkrimtarit dhe kohës së vet.
Keqkuptimet janë të pashmangshme, po të kujtojmë se kur një njëzetvjeçar e ka vështirë të merret vesh me një tetëdhjetëvjeçar, si do ta ketë të lehtë të kuptohet me një tetëqindvjeçar (që është mosha mesatare për shkrimtarin e shquar) e aq më shumë me një dymijëvjeçar (moshë mesatare e të mëdhenjve)?
E keqja është se qysh se është gjallë (domethënë në moshën e tij të parë), shkrimtari e ndien moshën e dytë. Ai ndien peshën e saj, lumturinë, trishtimet dhe gjithçka tjetër të saj, që, duke qenë të përmasave të tjera, ngjajnë të mbikësojetshme.
Ai është dyzet vjeç, por një zë i brendshëm i thotë: në të vërtetë, ti je ende dy vjeç, kështu që sipas kalendarit tjetër, atij të dytit, ti ke ende një mijë e katërqind vjet për të jetuar. Por në moshën e dytë të shkrimtarit kalendari mund të ecë mbrapsht, domethënë shkrimtari, me kalimin e viteve, në vend të plaket, mund të rinohet edhe më.
Të gjitha këto sjellin në jetën e shkrimtarit një tjetër ajër e tjetër klimë nga të tjera zona. Që e gjithë kjo të shëmbëllehet me punët hyjnore, çka edhe shpesh është bërë, gjithashtu është e kuptueshme. Më shumë se një vetëmburrje e shkrimtarëve, ky hyjnizim i punës së tij ka ardhur nga vështirësia për të shpjeguar të fshehtën e dy kalendarëve.
Shkrimtari, do ose nuk do, është detyrimisht një tjetër. Shqisa e dëgjimit të tij ka tjetër ndërtim, kështu që kur ajo shqisë kap më mirë fëshfërimën e barit, sesa zhurmën e një lufte që ndodh pak më tej, nuk duhet qortuar para kohe. Pas një mijë vjetësh (e ai është gjithmonë i gjallë e përgjigjet për të), ajo fëshfërimë bari mund të jetë më e fuqishme, më e kuptimshme, dhe mund të ketë arsyen e të qenit më të fortë se katastrofa që ndodhi aty pranë.
E njëjta gjë mund të thuhet për sytë e shkrimtarit, që herë janë më tejshikues se thjerrëzat e Galileut e dallojnë tmerre e mrekullira, që asnjë sy njerëzor s’i ka parë, e herë janë më të verbër se vështrimi i rapsodëve. Por shpesh qëllon që njerëzit rrotull shkrimtarit nuk duan të dinë për këto. Ata nervozohen, përpiqen t’i mbushin mendjen shkrimtarit se ai është si ata, se ka të njëjtët veshë, të njëjtët sy e, pa dyshim, të njëjtin tru. Ti je si ne, ulërin turma, kot përpiqesh të hiqesh si fantazmë, ndaj eja midis nesh, ulu, përulu!
Por shkrimtari, pavarësisht nga nervozizmi i turmës, është i vetëdijshëm se i përket një tjetër race. Ndaj, me mospërfillje dëgjon thirrjet, zhurmën, kërkesat dhe marrëzinë e saj.
Të gjithë kërkojnë prej tij të pamundurën. Koha i parashtron kërkesat e saj. Kombi lyp tjetër gjë. Gjysma e kombit matanë kufijve, tjetër. Viti 1999, të tjera. E kështu me radhë: brezat pas vitit 2200, një luftë e mundimshme e ardhshme dhe fatale, një tërmet, një provë e fundit.
Ata ia kërkojnë të gjitha këto, duke i ofruar atij sharje ose kurorë, dëshirojnë ta bëjnë hero, martir, skllav ose president të shtetit. Dhe kur ai bën “jo” me kokë, zemërohen më keq.
Është shumë i lodhur për t’u shpjeguar se për një njëmijepesë-qindvjeçar të gjitha këto janë qesharake. T’u shpjegojë se barra e letërsisë ka qenë tepër e rëndë dhe plotësisht e mjaftë për ta kërrusur përgjithmonë. T’u thotë se shi për këtë e për asgjë tjetër kishte ardhur në këtë botë: të ruante tempullin.
Ndaj për atë tempull ai është gati të mos i bindet askujt.
Zhurmës së tyre së shumti nuk i përgjigjet, por kur qëllon që ata kapërcejnë çdo kufi, si murgjit e dikurshëm që përballë sulmit të satanait nxirrnin kryqin, ai nxjerr kalendarin e tij të dytë.
Në kalendarin e dytë ka tjetër qiell dhe të tjera stinë. Edhe brenga dhe lodhja, atje janë të tjetër përmase. Ndërrohet ujët në det e ti duhet të jesh po ai. Ndryshken thonjtë e tigrave, verbohen shqiponjat, dhe ti prapë je po ai. Një mërzi prej Agasferi të kap dhe ndoshta vjen një ditë që edhe ti si ai t’i lutesh Zotit të të japë pushimin. E nëse mëkati i të shkruarit gjykohet më i madh se ai i Agasferit, prapëseprapë edhe për të do të ketë një afat, sepse edhe ti, si gjithë bota, ke nevojë një ditë të pushosh...
Vizita në studio është në fundin e saj. I zoti i shtëpisë donte të tregonte, midis të tjerash, një copë hekur që gjendej midis rrangallave të tjera në bodrumin më të thellë të shtëpisë së lindjes, atë që quhej “hapsanë”. Thuhej se ajo masë hekuri në formë gjyleje kishte rënë nga qielli.
E ka kërkuar më pas dhe nuk e ka gjetur, madje do të besonte se ishte krijim i fantazisë së tij, nga ato lindje paradoksale që ndodhin sipas kalendarit të dytë. Mirëpo të gjithë njerëzit e shtëpisë dëshmonin se e kishin parë atë hekur.
Mendja atëherë i ka shkuar se mos ndoshta kjo ka qenë pjellë e përbashkët e fantazisë së fisit, qysh se njohja (fama) dërgoi shenjat e saj të para në këtë shtëpi, s’kishte rëndësi nëse ishin në formë çorapesh të bukura ose librash, që njëfarë Ismail Kadare do t’i vishte në vitin 1890, ose do t’i shkruante më 1990-n.
Kështu, pra, vizita në studio, e cila mund të quhej edhe ftesë në një seancë kryqëzimi, po merr fund. I zoti i studios beson se ka folur mjaft, por, me sa duket, jo aq sa muza ta ndëshkonte duke ia marrë gojën, siç bëri zana me malësorin e dikurshëm. Kjo do të thotë se nuk e ka shkelur paktin dhe se të fshehtat e thella, të fshehtat e tij të thella me të, nuk i ka zbuluar.
Ndoshta vizitorët mund të jenë jo fort të kënaqur. Kureshtja e tyre ndoshta mund të mos jetë plotësuar dhe, veç kësaj, në kokë mund të kenë një marramendje të lehtë, thua se në kafet e tyre është hedhur pak opium.
S’ka asgjë për t’u çuditur, sepse çdo gjë mund të ndodhë në studion e shkrimtarit.
Tiranë, pranverë 1990

(Marrë nga libri i Kadaresë “Ftesë në studio”, Onufri, Tiranë, 2000)

Ne nje vend ku merret peng njeriu ne mes te dites, ne mes te 200 njerezve, ne syte e 5-6 kamerave

Ne nje vend ku merret peng njeriu ne mes te dites, ne mes te 200 njerezve, ne syte e 5-6 kamerave, e policia nuk guxon të ndjek makinen e rrembyesve-asht frike te jetosh!

Ne nje vend ku rrembyesit dihen dhe policise i duhen 10 dite me shku tek ta, qe vetem pak km e ndajne nga vendi i rrembimit, vetem pse rrembyesit jane trafikantë me shume leke dhe vrases-asht tradheti ndaj vetes te pranosh te jetosh ne te!

Ne nje vend ku ekspertët e policise çohen per ndjekje penale vetem e vetem se sbashkepunojne me krimin, kriminelët dhe eprorë te kapun nga mafia dhe sherbetorë te mafies-te mendosh te punosh asht fyerja ma e madhe qe i ban vetes!

Ne nje vend, ku familja e te rrembyerit nuk guxon nga frika te bashkepunoje me policine sepse policia e kishte mundesine te nderhynte diten e rrembimit- i bie qe mos te ikesh vetem vet, pp me gjithe fare e fis...
etjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjj
Shkruna Nikoleta Kovaci ne rrjetin social Fb.

Sunday, January 26, 2020

Kurrësesi mos hani lakra turshi nëse vuani nga këto sëmundje

Naturologu Georgije Nazarov, paralajmëron për efektin e mundshëm të dëmshëm për shkak të mënyrës së përpunimit të kësaj perime.
Megjithatë, është e nevojshme të shikohen veprimet pozitive dhe negative të lakrës turshi – thotë naturologu rus, Nazarov.
Për t’i vënë lakrat turshi përdoret sasi e madhe e kripës, gjë që nuk është e shëndetshme, aq më parë që pas ushqimit pihet sasi e madhe uji.
Kur në organizëm futet sasia e madhe e kripës personi mund të sëmuret nga ngritja e shtypjes së gjakut, kripa në organizëm bëhet ngarkesë për veshka, shtresohet në nyja dhe enë të gjakut.
Për shkak të kripës, teprica e lëngjeve ngelet në trup dhe vështirë nxirret jashtë, ndërkaq kripa çrregullon raportin e kaliumit dhe natriumit, andaj ndikon në ngërçe të muskujve, aq më parë rreth qafës dhe kurrizit.
Nëse tashmë konsumohet lakra turshi, do të duhej në tërësi ta eliminoni kripën nga artikujt e tjerë dhe nga racioni.
– Shqetësimi në duar dhe këmbë shpesh shfaqet si pasojë e disbalancimit të kaliumit dhe natriumit, të cilat i shkakton kripa e tepërt.
Gjithnjë e më shumë hulumtime tregojnë edhe në lidhshmërinë e përdorimit të kripës në ushqim dhe në shfaqjen e disa llojeve të kancerit.
Kripa nga lakra turshi nuk eliminohet në tërësi madje as me larjen e fletëve para konsumimit.
Pra, me lakrën turshi, e cila pa dyshim është e dobishme, megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm.

Grenell: Jam me kancer, të nesërmes nuk i dihet, dua të afroj Kosovën me Serbinë

I dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell është takuar gjatë ditës së sotme me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit Grenell tha se edhe në Serbi është diskutuar para së gjithash për përmirësimin e standardit të jetesës dhe infrastrukturës për njerëzit që jetojnë në këtë rajon, transmeton rtvpresheva.com.
Grenell po ashtu potencoi se gjatë qëndrimit në Kosovë e ka bërë të qartë se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake duhet të hiqet dhe në anën tjetër Beogradi duhet të ndalojë fushatën e ç’njohjeve.
“Unë u thashë të gjithëve që kjo është e papranueshme”, u shpreh Grenell.
Ai gjithashtu theksoi se gjithçka që dëshiron është t’i afrojë të dy palët dhe të përqëndrohet në të ardhmen, ekonominë, zhvillimin e vendit dhe kapërcimin e konfliktit.
“Kam pasur kancer, nuk e di se çfarë do të ndodhë javën ose muajin tjetër, e kemi vetëm të tashmen”, u shpreh Grenell.
Kujtojmë se Ambasadori Richard Grenell me të arritur të enjten në Beograd, tha se ekziston një afat i shkurtër kohor për t’i zgjidhur marrëdhëniet Prishtinë-Beograd.

Kllounada e Ligjërimit Publik në një shoqëri të shthurur


Kllounada  e Ligjërimit Publik në një shoqëri të shthurur 
Nga - Erl Kodra. 

Për të kuptuar gjendjen e një shoqërie, së pari duhet kuptuar ligjërimi publik. Në esencën e tij, ky ligjërim është shumësia e asaj çfarë transmetohet në mjetet e komunikimit masiv, siç është televizioni dhe gazetat, përfshirë personazhet e këtij ligjërimi, por edhe web - faqet dhe mediat sociale. Ky ligjërim është përcaktues për orientimin e shoqërisë drejt vlerave morale, sepse ndikimi i ligjëruesve publik është i padiskutueshëm.

Çfarë ndodhë në shoqërinë tonë përgjatë 24 orëve? Cili është fjalori me të cilin përballet njeriu i zakonshëm? Nga shumësia e fjalëve që transmetohen tek njerëzit, sa prej tyre përmbajnë koherencën morale në raport me të vërtetën e jetës së tyre?

Në Shqipëri, ligjëruesit publik janë qenie të veshura mirë, të mbajtura mirë, të ushqyera mirë, të shkolluar mirë. Jetesën dhe të mirat materiale që zotërojnë, përgjithësisht i kanë arritur nëpërmjet fjalëve që thonë në mjetet e komunikimit masiv. Ata e kanë vënë veten në shërbim, domethënë, aftësitë e tyre për t'u artikuluar, për të shkruar dhe për të shprehur mendime komplekse, ia kanë shitur ofertuesit më të mirë.

Dhe ofertuesi më i mirë është Edi Rama, në të vërtetë, që prej viteve 2000.

Trajtimi i gjendjes nuk mund të shihet i shkëputur nga karakteristikat e diskursit publik që kanë e majta dhe e djathta, por megjithatë, gjendja reale është shumë më komplekse, se sa mund të trajtohet në një tekst si ky. Në të vërtetë, qëllimi im është një debat serioz publik. Të kuptohemi; unë nuk ushqej ndonjë iluzion se debate të tilla mund të ndryshojnë realitetin, por gjithësesi, unë dëshiroj të lë të shkruar dëshminë time rreth "nënës së të gjitha temave", për një shoqëri me vlera morale të shkatërruara si kjo e jona.


Çfarë është ligjërimi publik në Shqipëri? Një mënyrë përkufizimi mund të ishte kjo:

Ligjërimi publik është shumësia e lajmeve propagandistike rreth aktivitetit të qeverisë në mjetet e komunikimit masiv, të mbështetur kryesisht në propagandues pa asnjë vlerë shoqërore dhe koherencë morale. Folësit publik në Shqipëri nuk kanë për qëllim orientimin dhe informimin e shoqërisë, por manipulimin e saj.

***

Zakonisht, emetimi i fjalëve në diskursin publik fillon me Bashkim Hoxhën në News 24, i cili lexon pasqyrën e shtypit të ditës. Titujt "konfirmojnë" një realitet vazhdueshmërisht të njëjtë, me të njëjtat sfida të thella që nuk përmbushen kurrë, me të njëjtët emra analistësh, me të njëjtat qasje, që prej dy dekadash. Gjithçka siç ka qenë, njëjtë edhe Bashkim Hoxha.

Gjatë ditës vazhdohet me transmetimet e aktiviteteve të qeverisë, ku dominon Edi Rama me ERTV-në e tij dhe kasetat e kryebashkiakut Erion Veliaj. Zakonisht, raportimet direkt rezervojnë trajtim linear të ngjarjes politike, pa analizë dhe thelb. Mikrofonat e reporterëve lejojnë të rrjedhin lirshëm ligjëratat e protagonistëve.

Drejtorët e Informacionit në televizionet kryesore të vendit kujdesen gjithmonë që temat të rrjedhin ashtu siç duhet; të kontrolluara. Kur skandali është i përmasave të mëdha, darkat televizive rezervojnë zhvlerësimin dhe relativizimin përfundimtar, duke siguruar kështu status quo-në. Darkat televizive janë edhe një spektakël mediokriteti dhe histerie masive, ku në "prime time" garojnë me njëri tjetrin supergazetarët Eni Vasili, Sokol Balla, Artur Zheji dhe Blendi Fevziu.

Të ftuarit e tyre janë të njëjtët; diçka nën nivelin e inteligjencës mesatare, të gatshëm të thonë se toka nuk rrotullohet, nëse kështu ua do puna për të justifikuar dhe sfumuar ndyrësitë e regjimit.

Këtu duhet bërë një parashtresë; shqiptarët, në shumicën e tyre janë të varfër. Si të tillë, ata mbijetojnë në një mjedis të ashpër dhe armiqësor, në një shoqëri të polarizuar, ku vesi nderohet dhe seriviret si virtyt. Shqiptari i thjeshtë gjendet nën agresion nga ligjërues publik të paskrupullt, në një lloj spektakli açik, që imponohet masivisht nga mediat e komunikimit masiv. Qëllimi arrihet me sukses të plotë; darkat televizive kthehen edhe në një lloj spektakli ku rëndomë dëgjohet Kujtim Gjuzi dhe Fatos Klosi në diskursin e tyre për moralin shoqëror.

Gjithashtu, kriminalizimi i shoqërisë shqiptare ka patur vetëm trend rritës. Me mijëra e mijëra shqiptarë gjenden në burgjet e vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht në Greqi, Itali, Francë, Gjermani dhe Angli. Pothuaj të gjitha krimet e tyre janë të lidhura me trafikun e drogës, trafikun njerëzor, dhe krimet kundër pronës dhe jetës. Me mijëra të tjerë janë të shpallur në kërkim nga drejtësia e këtyre vendeve. Fakti është se pikërisht kjo kategori e shoqërisë ia ka dalë të "bëjë prokopi" në shoqërinë shqiptare. Vitet e fundit ata kanë marrë edhe role politike, duke u  shkrirë me Rilindjen e Edi Ramës. Kështu shoqëria shqiptare ka mbetur e mbërthyer në një trafik të çuditshëm influence, ku qarkullojnë interesat e trafikantëve dhe kriminelëve, bashkë me ato të politikës, gazetarisë, mediave dhe ligjëruesve publik. Jashtë kësaj skeme nuk mund të mbijetojë askush. Jashtë kësaj skeme, ti je i dënuar me heshtje dhe injorim, dhe nëse kjo nuk mjafton, edhe me përndjekje dhe persekutim*).

Shoqëria shqiptare nuk mund të mbijetojë në një ambient të tillë, të papërshtatshëm dhe armiqësor me normat e moralit njerëzor. Ligjërimi publik po vret çdo shpresë se shqiptarët mund të ndërtojnë vendin e tyre. Braktisja e masive e vendit po e zhytë shoqërinë në kufinjtë e mospërmbushjes ekonomike dhe në humbjen e moralit shoqëror. Është tragjike të shohësh të rinjë që i hyjnë biznesit të drogës dhe prostitucionit, krimit dhe korrupsionit, hapur dhe pa teklif si në Shqipëri.

Një ndër "sportet" kryesore të ligjëruesve publik është denigrimi i opozitës. Zaten, me këtë sport merren shumica e tyre; në një lloj gare të neveritshme se kush do të shpifë, denigrojë, sulmojë dhe ta degjitilimojë më shumë opozitën. Madje, ka edhe njëlloj gare të çuditshme mes ligjëruesve publik, se kush do të bëhet më interesanti në merkaton që e drejton Edi Rama. Por ky tekst është vetëm parathënia e një serie shkrimesh për këtë temë.

Teksti i ardhshëm do të përqëndrohet në luftën e paprecedentë nën të cilën gjendet opozita shqiptare, gabimet e saj në ligjërimin publik, si dhe çka mund të ndryshojë opozita në këtë drejtim.

*) Autori i tekstit prej disa vitesh gjendet nën sulme direkte nga "segmente" të shtetit shqiptar, saktësisht për shkaqe që lidhen me autorësinë e tij.

Edi Rama: Kjo është pikë kufitare, siç shkruan ai

  Edi Rama: Kjo është pikë kufitare, siç shkruan ai Në rastin më të mirë, ky shpërthim emocional i ngjyrave që mbuluan vendkalimin Muriqan m...